Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fermerët kundër TVSH-së së re: Skema favorizon importet, jo prodhimin vendas

Fermerët kundër TVSH-së së re: Skema favorizon importet, jo

Shoqatat e fermerëve dhe përpunuesve në Shqipëri kanë kundërshtuar ndryshimin e propozuar nga qeveria në paketën fiskale, që parashikon kompensim prej 10% për shitjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale duke nisur nga 1 janari 2026. Sipas tyre, masa nuk zgjidh problemet reale të sektorit për sa kohë mbetet në fuqi skema e diferencuar e TVSH-së.

Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë barazim të normës së TVSH-së mes produkteve vendase dhe atyre të importuara, duke argumentuar se aktualisht tregu favorizon mallrat e huaja. Sot, grumbulluesit blejnë nga fermerët me TVSH 0% dhe shesin me 20%, duke mos përfituar rimbursim dhe duke dekurajuar blerjen e prodhimit vendas. Ndërkohë, produktet e importuara tatohen me 20% si në blerje ashtu edhe në shitje, çka i bën më konkurruese.

Fermerët kërkojnë që faturat për produktet t’i lëshojnë vetë ata dhe subvencioni 10% të jepet drejtpërdrejt mbi bazën e faturës. Ata paralajmërojnë se skema aktuale krijon terren për abuzime dhe mund të sjellë konflikte mes fermerëve dhe tregtarëve.

Si hap të fundit, sindikatat paralajmërojnë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar skemën. Ndërkohë, shoqatat kërkojnë transparencë nga fabrikat e përpunimit, duke propozuar që në etiketë të shënohet origjina e lëndës së parë.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave mbron skemën e re, duke deklaruar se ajo është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe se përfitues do të jenë rreth 111 mijë fermerë./L.F-dritare.net