Berisha zbulon skenarin e protestës: Deputetët jo në vijë të parë, thirrje për bllokim rrugësh
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar detaje nga organizimi i protestës kombëtare që pritet të mbahet nesër në orën 18:00, duke theksuar se deputetët demokratë nuk do të vendosen në vijën e parë të demonstratës.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha deklaroi se parlamentarët janë udhëzuar të shpërndahen pranë protestuesve të zonave të tyre, si pjesë e një taktike të përcaktuar nga drejtuesit e opozitës.
“Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë pranë protestuesve të zonave të tyre. Kjo edhe mund të ndryshojë. Ishte taktikë dhe qëndrim i yni”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, kryedemokrati u ndal edhe te çështja e çmimeve të karburanteve, duke akuzuar qeverinë për cinizëm dhe duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet rritja e çmimit të naftës. Ai pretendoi se kjo situatë përbën një motiv shtesë për reagim qytetar, ndërsa bëri thirrje për nxjerrjen e makinave në rrugë dhe bllokimin e akseve.
Berisha tha gjithashtu se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë problematike, duke pretenduar se për herë të parë në historinë e pluralizmit, kontribuuesi kryesor në prodhimin e brendshëm bruto nuk është më ekonomia reale, por taksat dhe punonjësit e shtetit. Sipas tij, kjo tregon rritjen e barrës fiskale dhe krijimin e një rrethi vicioz që frenon zhvillimin ekonomik.
Duke sulmuar qeverinë për politikat fiskale dhe menaxhimin e çmimeve, Berisha e cilësoi premtimin për uljen e akcizës vetëm kur nafta të arrijë në 2200 lekë si “tallje cinike” me qytetarët.
Në përfundim të deklaratës së tij, lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestë, duke e paraqitur atë si një mundësi për reagim të drejtpërdrejtë kundër qeverisë./l.f-dritare.net