
Banorët thirrje emigrantëve: Kthehuni në Zhulat, fshatin e bekuar nga Perëndia!
Dritare.net
20 minuta larg Gjirokastrës është Zhulati. Fshat me histori e zakone, që është bërë i preferuari i turistëve që vizitojnë jugun.
Kapo Gjoca kryeplaku i Zhulatit, tregoi për DritareTv historinë e fshatit dhe përse turistët duan të jetojnë në Zhulat, të blejnë shtëpi, e të investojnë në këtë fshat që kullon mjaltë. Zoti Gjoca u bën thirrje edhe të rinjve që kanë emigruar drejt Kanadasë, Amerikës, Italisë e Greqisë që të kthehen në Zhulat, të investojnë në shtëpinë e tyre, në fshatin e bekuar nga Perëndia.
“Si zonë jemi shumë e pasur. Kemi bimë medicinale të ndryshme, rigon, çaj, bli, murriz. Të gjithë mbeten pa mbledhur sepse nuk ka njerëz. Zhulati me rrugën e re, është 20 minuta larg Gjirokastër. Rruga është bërë pas 2013, ndërsa asfalti mendojmë që do të mbarojë këtë vit.
Ndërkohë na vizitojnë shumë turistë, janë shumë të kënaqur.
Dalin shëtisin maleve. Është fshat me ujë të bollshëm, ka ujëvara, shtigje ku mund të bësh ecje, ndaj ata kënaqen.
Të rinj ka, jo shumë por kanë gjetur rrugën e vet këtu. Disa merren me blegtori e bujqësi. Por ka edhe nga ata që kanë mbaruar shkollat e larta, dhe ndonëse punojnë në qytet jetojnë këtu.
Emigracion ka shumë. Rreth 30 shtëpi mund të ketë pa një fëmijë emigrant. Kanë emigruar në Kanada, në Amerikë, në Gjermani, Francë, Angli, e Greqi.
Unë do t’ju bëja thirrje të gjithëve të kthehen në Zhulat. Të investojnë. Sepse mund të jetohet dhe jetohet shumë mirë.
Xyflo Muxhai, është një ndër to që jo vetëm ka investuar në shtëpinë e tij, por edhe në fshat, duke bërë një rrugë. Ndaj u bëj thirrje të gjithëve, ejani në Zhulat. Kush ka një mik zhulatjot, është i bekuar nga Perëndia.
Turistët kërkojnë të vijnë të jetojnë këtu, të blejnë tokë apo shtëpi. Dhe ne i mirëpresim, të vijnë e të investojnë sepse ky fshat do të jetë shtëpia e tyre. Të vijnë të jetojnë me ne.”, u shpreh zoti Gjoca./K.C/dritare.net

















