
Arrestohet Aldo Avdylaj në Tiranë, ishte fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik
Dritare.net
Ka zgjatur pak ditë arratia e Aldo alias Elidon Avdulajt, i shpallur në kërkim nga SPAK pas operacionit më 2 tetor, ku u godit grupi i Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe i Astrit Avdylajt. Aldo Avdylaj akuzohet se ka organizuar dhe bashkëdrejtuar grupin me Astrit Avdylajn për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës.
Ai u kap nga Forcat Operacionale pasi fshihej në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë. Vrasja u zbardh pas komunikimeve në Sky ECC të grupit të Rrumit të Shijakut dh Astrit Avdylajt. Sipas SPAK, porositësi i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrje për tentativën për të vrarë Aldon.
Si ekzekutorë vepruan Alfred Doka dhe Ermir Dedja. Doka është në kërkim, ndërsa Dedja u ekzekutua më 20 maj të këtij viti në Durrës. Si ndihmës, SPAK akuzon edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të PS, Loer Kume.
Më 2 Tetor, SPAK kreu një operacion që çoi në shkatërrimin e këtyre dy grupeve kriminale në Gjirin e Lalzit, të përfshirë në vrasje dhe në tjetërsime pronash përmes falsifikimit të dokumenteve. Në kuadër të hetimit, u sekuestruan 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.
Në pranga u vunë 4 persona: Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi. Aldo Avdylaj del në komunikimet e SkyEcc me Rrumin e Shijakut edhe për toka në Gjirin e Lalzit.
Në dosjen e SPAK, zbardhen edhe biseda të Aldo Avdylajt me xhaxhain Astrit Avdylajn ku ky i fundit e udhëzonte që të tregohej i kujdesshëm për "punët" që kryenin dhe të mos i merrnte vesh Rrumi i Shijakut.
Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij:
a. “Vrasje me paramendim”, kryer per hakmarrje, në dëm të shtetasit E.B alias I. K në datën 24.01.2021 në qytetin e Durresit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 dhe 334 paragrafi i dytë të Kodit Penal.
b. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4 dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.
c. “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal./shqiptarja.com

















