Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Erion Braçe për ngjarjet në SPAÇ: Policia ka shkelur Kushtetutën me duar e këmbë!

Erion Braçe për ngjarjet në SPAÇ: Policia ka shkelur

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër pas ngjarjeve të ndodhura në minierën e bakrit në SPAÇ, Mirditë, ku policia ka ndërhyrë ndaj punëtorëve që protestonin për të drejtat e tyre. Në një postim në rrjetet sociale, Braçe e ka cilësuar sjelljen e Policisë së Shtetit si “të papranueshme dhe brutale”, duke theksuar se është shkelur haptazi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Sipas tij, gjithë konflikti ka lindur nga fakti që pronaret turq, të cilët shfrytëzojnë minierën nën kontratë me shtetin shqiptar, nuk duan përfaqësimin e punëtorëve nga një sindikatë e ligjshme, duke i mohuar kështu një të drejtë kushtetuese.

“Policia e Shtetit, me disa efektivë të caktuar, ka shkelur rëndë Kushtetutën me duar, me këmbë dhe me një gojë të shthurur!
Në nenin 50 thuhet qartë se të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.
Neni 51 garanton të drejtën e grevës për marrëdhëniet e punës.
Pra, kjo është një e drejtë kushtetuese që nuk mund t’u mohohet minatorëve!”, – shkruan Braçe.
Deputeti socialist, njëherësh anëtar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Punësimin, i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë menjëherë.

“I kërkoj Policisë të mos cënojë asnjë punëtor fizikisht – siç ka ndodhur dje.
I kërkoj Inspektoriatit të Punës të shkojë në SPAÇ, këtë herë jo për dreka pune, por për të garantuar të drejtat e punëtorëve.
Në një kohë kur Shqipëria ka nevojë ulëritëse për punëtorë, kjo sjellje brutale është e patolerueshme!”, – thekson Braçe.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve për tensione mes minatorëve dhe policisë, ndërsa punëtorët pretendojnë se janë penguar të organizohen sindikalisht. Braçe kërkon që çështja të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e të drejtave të punës dhe të njeriut./L.F-dritare.net

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)