
Ambasada Amerikane paralajmëron shqiptarët për vizat: Mos rrezikoni të ardhmen tënde!
Dritare.net
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së, duke u kujtuar atyre të respektojnë kushtet dhe afatin e qëndrimit që përcakton viza amerikane. Ambasada thekson se çdo individ është përgjegjës për përdorimin korrekt të vizës së tij/saj dhe për përmbushjen e detyrimeve ligjore gjatë qëndrimit në SHBA.
“Është përgjegjësia jote të përdorësh vizën tënde në mënyrë korrekte. Respekto kushtet e vizës tënde amerikane dhe afatin e autorizuar të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi përtej këtij afati mund të ndikojë në mënyrë të përhershme në mundësinë tënde për të udhëtuar, studiuar ose punuar në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
Ambasada kujton se tejkalimi i afatit të lejuar të qëndrimit mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata për të ardhmen e aplikimeve të mëtejshme për vizë amerikane./K.C/dritare.net

















