Na ndiqni edhe në

Shëndet

6 shenja që tregojnë se shqetësoheni më shumë seç duhet. Si ta menaxhoni ankthin e përditshëm

6 shenja që tregojnë se shqetësoheni më shumë

Shqetësimi i vazhdueshëm, ndjenja se diçka e keqe do të ndodhë, mund të kthehet në një gjendje që ndikon thellë në cilësinë e jetës suaj. Kur mendimet negative përsëriten dhe trupi reagon sikur ndodheni përballë një rreziku të vazhdueshëm, atëherë ankthi ka kaluar kufijtë e normales.

Sipas një artikulli të HelpGuide.org, bazuar në punën e terapistes amerikane Jeanne Segal, ekzistojnë 6 shenja paralajmëruese që tregojnë se mund të jeni duke u shqetësuar në mënyrë të tepruar:

Tension i vazhdueshëm, edhe pa shkak të dukshëm – Nëse ndiheni gjithmonë në ankth, edhe kur gjithçka rreth jush është në dukje e qetë, trupi dhe mendja juaj mund të jenë në gjendje alarmi të përhershëm.
Simptoma fizike që nuk ju lënë rehat – Dhimbje koke, shtërngim në nofull, tension në supe apo ndjesi e vazhdueshme shqetësimi në stomak janë shenja që trupi juaj po flet, edhe nëse ju nuk jeni plotësisht të vetëdijshëm për burimin e stresit.
Probleme me gjumin dhe ndjesia e lodhjes – Kur nuk arrini të flini, zgjoheni shpesh gjatë natës ose ndiheni të rraskapitur sapo zgjoheni, është e mundur që mendimet shqetësuese po ju shoqërojnë edhe gjatë natës.
Nevoja e tepruar për kontroll dhe siguri – Në përpjekje për të shmangur të papriturat, mendja juaj mund të rrotullohet rreth skenarëve negativë, duke kërkuar siguri aty ku nuk ka. Ky rreth vicioz vetëm e forcon ndjesinë e ankthit.
Vështirësi për t’u përqendruar në të tashmen – Nëse e keni të vështirë të qëndroni të përqendruar në një bisedë, një libër apo një moment të qetë, është e mundur që mendja juaj të jetë kapur nga cikli i shqetësimit të tepërt.
Ndikim negativ në marrëdhënie – Kur jeni vazhdimisht të tensionuar apo të larguar emocionalisht, kjo ndikon në marrëdhëniet me familjarët dhe miqtë. Ankthi mund t’ju bëjë më të ndjeshëm ose më të ftohtë, duke e vështirësuar komunikimin dhe lidhjet njerëzore.

Çfarë mund të bëni për ta menaxhuar ankthin?

Ekspertët këshillojnë disa hapa praktikë që mund t’i zbatoni në përditshmëri:

Vendosni një “kohë për t’u shqetësuar” – 15-20 minuta në ditë ku lejoni veten të mendoni për gjithçka që ju shqetëson, por jashtë kësaj kohe, përpiquni të fokusoheni në të tashmen.
Shkruani mendimet tuaja – Mbajtja e një ditari ju ndihmon të largoni mendimet nga koka dhe t’i shihni më qartë.
Fokusohuni në atë që kontrolloni – Shmangni analizat pa fund për gjëra që nuk varen nga ju.
Bëni aktivitet fizik rregullisht – Lëvizja ndihmon në uljen e stresit dhe përmirëson gjendjen emocionale.
Bisedoni me njerëz të besuar – Mbështetja sociale është një ndër faktorët më të rëndësishëm për mirëqenien mendore.
Praktikoni teknika mindfulness apo meditimi – Qëndrimi në të tashmen, pa gjykim, është një nga mënyrat më të fuqishme për të frenuar ankthin.
Shqetësimi është pjesë e jetës, por nuk duhet të sundojë jetën tuaj. Ndërhyrja në kohë, qoftë përmes teknikave të vetëmenaxhimit apo ndihmës profesionale, mund të sjellë qetësinë dhe ekuilibrin që meritoni./K.C/dritare.net