Çfarë thonë myslimanët për sulmin mbi Iran! Flet Olsi Jazexhi!
Dritare.net

Në studion e emisionit Shqip nga Dritan Hila në DritareTv, historiani Olsi Jazexhi foli mbi përshkallëzimin e konfliktit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së, si dhe mbi pasojat që kjo situatë mund të ketë në botën myslimane dhe në ekuilibrat globalë.
Lufta kundër Iranit nuk ka mbaruar kurrë
Që në nisje të bisedës, Jazexhi e vendosi konfliktin aktual në një kornizë historike më të gjerë.
“Kjo luftë nuk është se ka nisur sot. Ka nisur në vitin 1979, kur Republika Islamike e Iranit u krijua dhe Irani doli nga dora e amerikanëve si koloni e tyre,” u shpreh ai.
Sipas tij, revolucioni i udhëhequr nga Ruhollah Khomeini ishte një revolucion antiimperialist që ndryshoi balancat në Lindjen e Mesme dhe e ktheu Iranin në një kundërshtar të drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe Izraelit.
“Që nga revolucioni islamik, lufta kundër Iranit nuk ka mbaruar. Ka ndryshuar forma, por jo thelbi,” tha Jazexhi.
Garda Revolucionare dhe e ardhmja e regjimit
Një pjesë e fortë e debatit u fokusua te struktura e pushtetit në Iran dhe pasojat e vrasjes së liderit suprem pak ditë më parë. Sipas Jazexhit pushteti real në Iran ndodhet te Garda Revolucionare. “Me vrasjen e liderit suprem, pushteti konsolidohet edhe më shumë nga Garda Revolucionare. Ata janë shtylla e sistemit,” deklaroi ai.
Ai shtoi se ekziston mundësia që Irani të ashpërsojë linjën e tij politike dhe ushtarake, duke përfshirë edhe çështjen bërthamore: “Nëse Irani do ta kishte pasur bombën atomike, nuk do të ishte bombarduar. Kjo është logjika e sigurisë në Lindjen e Mesme.”
Shoqëria iraniane mes ndasive dhe patriotizmit
Moderatori Hila ngriti pyetje mbi nivelin real të mbështetjes që regjimi gëzon brenda vendit, duke përmendur protestat e viteve të fundit dhe raportimet për mijëra viktima.
Jazexhi pranoi se Irani është një shoqëri komplekse dhe e ndarë: “Irani ka shumë kontradikta brenda. Ka rryma që duan sekularizim, ka rryma që duan pajtim me Perëndimin. Vetëm një pjesë e popullsisë është thellësisht ideologjike.”
Megjithatë, ai theksoi se përballë një sulmi të jashtëm, shoqëria bashkohet: “Kur vendi sulmohet, iranianët janë shumë patriotë. I harrojnë ndasitë e brendshme.”
Sipas tij, protestat e fundit nuk arritën ta destabilizojnë regjimin, por e shtynë atë të forcojë kontrollin. “Ndryshe nga vende të tjera të rajonit, Irani nuk e la veten të bjerë në kaos,” tha ai.
Bota sunite dhe përplasja me Perëndimin
Në lidhje me reagimin e botës myslimane, Jazexhi bëri dallim mes regjimeve dhe popullsive.
“Në diktaturat e Gjirit nuk lejohet të flitet pro Iranit. Por nga Indonezia deri në Turqi, shumica e opinionit publik mysliman po solidarizohet me Iranin,” deklaroi ai.
Sipas tij, konflikti nuk shihet thjesht si përplasje Iran-Izrael, por si një betejë më e gjerë kundër dominimit amerikan në rajon.
Dimensioni ekonomik i luftës
Jazexhi argumentoi se përplasja ka edhe një dimension të fortë ekonomik, veçanërisht përmes ndikimit në tregjet e energjisë dhe tensioneve në Gjirin Persik.
“Çdo luftë në fund është ekonomi. Nëse Irani mbyll rrugët energjetike, Perëndimi përballet me një bombë ekonomike,” tha ai. Ai shtoi se beteja nuk është vetëm ushtarake, por edhe teknologjike dhe gjeopolitike, duke përmendur përfshirjen indirekte të fuqive si Kina dhe Rusia.
Një konflikt me pasoja të paparashikueshme
Në mbyllje, Jazexhi parashikoi një konflikt të gjatë: “Ose do të ndryshojë regjimi në Iran, ose kredibiliteti i amerikanëve do të goditet rëndë.”
Nga ana e tij, Hila theksoi se shumëçka mbetet e paqartë dhe se informacione të plota nga terreni mungojnë, duke e cilësuar situatën si “një lojë ende të hapur”./dritare.net