Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Akademikja Anila Omari: Si t’ia ngremë prestigjin, gjuhës shqipe!

Akademikja Anila Omari: Si t’ia ngremë prestigjin, gjuhës

Duhet t’i ngremë prestigjin gjuhës shqipe! Kështu tha gjuhëtarja, leksikografja Anila Omari e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Akademikja i bën thirrje shqiptarëve, kryesisht të rinjve që të ndërgjegjësohen dhe të flasin shqip, jo anglisht. Sepse nuk ka rëndësi sa e lashtë është gjuha shqipe, thotë gjuhëtarja, por si dhe sa e përdorim atë.

“Emigrantët duhet të dinë disa gjëra elementare për gjuhën shqipe. Gjuha shqipe është një gjuhë e veçantë, një gjuhë indoevropiane, por nuk ka familje sepse është gjuhë më vete. Një gjuhë e veçantë brenda kësaj familjeje. Të lexojnë për origjinën dhe lashtësinë e shqipes. Cila gjuhë është më e vjetër. Ka kuriozitete të shumta. Po të shohim funksionin e gjuhës kuptojmë se gjuha njerëzore është njësoj kudo. Që nga gjuha primitive deri tek ato më të kultivuara, funksioni i gjuhës është komunikimi. Nuk ka një veçanti më të shquar njëra gjuhë në krahasim me një tjetër. Ndaj them që nuk ka rëndësi sa e vjetër është gjuha, por si e përdor, si komunikon. Duhet t’i japim rëndësi përdorimit të duhur të gjuhës. Ndërgjegjësimi për të përdorur gjuhën amtare, jo dygjuhësinë. Të kenë pak dashuri për gjuhën dhe pak ndërgjegjësim të flasin në gjuhën shqipe. Por mesa duket është prestigji që ka një gjuhë ndërkombëtare siç është anglishtja që ua imponon këtë gjë. Kur flasin anglisht, atyre u duket sikur i japin më shumë rëndësi vetes. Ndaj them se ne duhet të ngremë prestigjin e shqipes.”, tha gjuhëtarja në DritareTV.

E pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga se çfarë po bën Instituti i Gjuhësisë në Akademinë e Shkencave për t’i ngritur prestigjin gjuhës shqipe, akademikja tha:

“Unë kam shumë vite që merrem me gjuhën e autorëve të vjetër. Kjo është një njohje që i kontribuon shqipes. Ne njohim gjuhën e sotme, por duhet të njohim edhe periudhat e kaluara të gjuhës shqipe sepse ato janë burim pasurimi dhe shpjegimi të shumë gjërave të sotme. Janë botuar tani edhe fjalorë të autorëve të vjetër, edhe botime kritike që mund të lexohen lirisht në alfabetin e sotëm, por në gjuhën e asaj kohe. Kolegët e tjerë merren me gramatikën, sintaksën, vëzhgime për ndryshimet që ndodhin duke matur dhe regjistruar folësit për të parë sa janë ruajtur disa tipare të shqipes, kryesisht dialektore. Disa të tjerë merren me fjalorin e madh të shqipes. Këto janë disa kontribute që po japim ne për gjuhën shqipe, por ne jem një grup i vogël forcash që po punojmë në Akademi.”, tha gjuhëtarja në DritareTV./K.C/dritare.net