Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A jemi përballë krijimit të një superfuqie të re si Shtetet e Bashkuara të Evropës?!

A jemi  përballë krijimit të një superfuqie të re si

Nga Spartak Ngjela

I.
Shenjat janë se kjo krizë financiare e Bashkimit Evropian, ka shumë mundësi që të sjellë në histori një bashkim shumë të fuqishëm shtetëror:
Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Kjo sepse tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largohen nga tregu evropian. Kurse gjithmonë në historinë e Perëndimit, krizat financiare kanë sjellë zhvillim në metodat e tregut të lirë.
Po këtë lloj reforme financiare që po pritet, Shtetit e Bashkuara të Amerikës, a e kanë në favorin e tyre? Kjo nuk dihet ende, prandaj duhet analizuar se çfarë rruge do të marrë ky konflikt i ri financiar perëndimor.

lI.
Ka filluar një konflikt financiar midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Evropa po ndihet e goditur nga Shtetet e Bashkuara, por shenjat janë se kjo krizë e imponuar mund të krijojë një federatë të re të zhvilluar, e cila mund të drejtojë të gjithë tregun botëror: dhe kjo federatë do të jetë: Shtete e Bashkuara të Evropës.
Shenjat janë se, si pasojë e kësaj krize, sot kanë rënë nivelet e bursave në Perëndim. Por kjo është në thelb një konkurrencë për cilësinë e mallrave.
Dhe tani dihet se kjo është një luftë financiare që e ka filluar presidenti amerikan Donald Tump, kundër Bashkimit Evropian

Por, deri tani, Bashkimi Evropian nuk ka një skemë efikase të shpallur. Por sigurisht që e ka të përpunuar një të tillë, dhe kjo nuk do diskutim.
Por, a është kjo në fakt një luftë tregtare klasike?
Po, kjo konkurrencë nuk ka dalë nga rregullat historike të tregut të lirë të kapitaleve, qëkurse është krijuar ai, dhe si karakter, kjo tanimë eshtë e njohur shumë mirë në historinë moderne të tregut të lirë evropian.

III.
Por tani shenjat janë që Bashkimi Evropian është kapur në befasi. Sepse, deri tani, Bashkimi Evropian nuk ka shpallur një skemë, e cila po duket e vështirë, sepse po mendohet se nuk gjendet dot sot një mekanizëm që të vijojë suksesshëm më tej pas prishjes së praktikës së bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por qetësia evropiane, po na tregon se kjo skemë tani është kalkuluar.

Prandaj na duhet të theksojmë se, kjo krizë financiare evropiane, e cila ndërkaq po krijon vazhdimisht rënien e vlerës së Euros në tregun financiar botëror, nuk mund të shmanget pa një reformë financiare që duhet të dalë në bankat kryesore të Bashkimit Evropian.
Atëherë?
Shenjat tregojnë se kjo krizë financiare, që sot po duket se do të vijojë, ka tepër mundësi që të sjellë pikërisht atë reformë evropiane financiare dhe juridike të Bashkimit Evropiane, e cila duhej të ishte bërë me kohë, por kjo tani kuptohet se është mu në pragun e daljes së saj.
Dhe skema e saj po duket se është vetëm një:
Kalimi i Bashkimit Evropian në një shtet federal.
Dhe, pikërisht kjo, do të na sjellë në historinë e zhvillimit ekonomik botëror, Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Dhe kuptohet se kjo, nëse ndodh tani shpejt, sigurisht që do të sillte një lloj tjetër konkurence në Perëndim, por edhe një strukturë të re në tegun e lirë botëror.
Sepse, me këtë metodë të re financiare të një shteti të fuqishëm evropian, vetë zhvillimi botëror do të krijonte risinë e madhe të konceptit relativist në ekonominë e tregut
Prandaj, pikërisht kjo reformë po pritet të dalë në Bashkimin Evropian, me një zhvillim të madh e të menjëhershëm, edhe në nivele të reja të teknologjisë së prodhimit të mallrave, por edhe në modernizimin e mëtejshëm të tregut financiar të Shteteve të Bashkuara të Evropës. E cila do të ishte një risi historike për vetë zhvillimin botëror./dritare.net