Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A je gjallë? Ky aplikacion po bëhet viral

A je gjallë? Ky aplikacion po bëhet viral

Një aplikacion me emrin provokues ““Je gjallë?”, i njohur në Kinë si Sile Me, është kthyer në fenomen viral mes të rinjve dhe të moshuarve që jetojnë vetëm. Në pamje të parë duket si një ide e thjeshtë teknologjike, por në thelb ai pasqyron një realitet të ri social: rritjen e izolimit dhe jetesës solo.

Aplikacioni funksionon në mënyrë shumë të thjeshtë. Përdoruesi duhet të bëjë një “check-in” duke shtypur një buton për të konfirmuar se është mirë. Nëse nuk e bën këtë për dy ditë rresht, aplikacioni dërgon automatikisht një mesazh paralajmërues te një kontakt emergjent i zgjedhur më parë.

Ideja është krijuar si një lloj sigurie për njerëzit që jetojnë vetëm, larg familjes ose pa dikë që t’i kontrollojë rregullisht. Frika se dikush mund të pësojë një problem shëndetësor dhe të mbetet i pashqyrtuar për ditë të tëra është bërë gjithnjë e më e pranishme, veçanërisht në qytetet e mëdha.

Suksesi i aplikacionit lidhet me ndryshimet e thella shoqërore në Kinë. Gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të mos martohen dhe të jetojnë vetëm, ndërsa një numër i madh të moshuarish mbeten të izoluar, pa të afërm pranë që të kujdesen për ta. Kjo ka krijuar nevojën për forma të reja lidhjeje dhe sigurie, edhe nëse ato janë digjitale.

Emri i aplikacionit ka nxitur debat. Disa e shohin si të zymtë apo të tepruar, ndërsa të tjerë mendojnë se ai e thotë troç atë që shumë njerëz kanë frikë ta artikulojnë. Për krijuesit, emri është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen ndaj një problemi real dhe të shpesh të fshehur: vetmisë.

“A je gjallë?” nuk është thjesht një aplikacion. Ai është një pasqyrë e një shoqërie që po ndryshon, ku lidhjet tradicionale familjare po dobësohen dhe teknologjia po merr rolin e rojës së fundit. Në një botë gjithnjë e më të lidhur dixhitalisht, ky aplikacion tregon se njerëzit kanë ende nevojë për një shenjë të thjeshtë që dikush, diku, po i vë re./L.F-dritare.net