Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

40 firmëtarët dhe idea për një panteon me varret e tyre

40 firmëtarët dhe idea për një panteon me varret e tyre

Nga Roland Qafoku

Këta janë 40 burrat shqiptarë që si sot 113 vjet më parë hodhën firmën e rëndë të pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë i kam vendosur sipas renditjes alfabetike të emrave të tyre, duke i shoqëruar me fotografitë përkatëse, ndryshe me disa lista dhe foto me gabime dhe gafa në libra, lëre pastaj në rrjetet sociale. Ne e gëzojmë sot këtë shtet falë këtyre 40 burrave të cilët e shndërruan 28 nëntorin si festën më të madhe të kombit.

40 firmëtarët dhe idea për një panteon me varret e tyre

Një pjesë e tyre u harruan, një pjesë u fshinë firmën në proklamatë, një pjesë u vranë, një pjesë u shpallën armiq dhe një pjesë e kanë varrin jashtë Shqipërisë dhe një pjesë nuk kanë fare varr. Brezit tonë i del si detyrë jo thjesht ti kujtojmë në një ditë si kjo, por t’i nderojmë siç ata e meritojnë. Prej vitesh kam hedhur idenë e ngritjes së një panteoni që në një parcelë të veçantë në Tiranë të jenë varret e të 40 firmëtarëve.

Ky do ishte një nderim dhe respekt minimal që do t’u bënim atyre dhe do na tregonte në sytë e Evropës dhe Botës një popull të qytetëruar larg urrejtjeve dhe larg ndasive të tipit disa ishin miq dhe disa heronj. Çfarëdo të kenë bërë atë në jetën e tyre, hedhja e firmës në proklamatën e pavarësisë më 28 nëntor 1912 është jo vetëm kryevepra e jetës së tyre, por edhe kryevepra në historinë e Shqipërisë. Vetëm ky akt mjafton. Fjalët negative të thëna për një pjesë të tyre qoftë edhe për gabime që bënë më vonë, janë vlerësime, ose të pasionantëve politikë, ose të paditurve që flasin dhe u jepet mundësia të shkruajnë, por që për fat të keq i kemi jo të paktë në numër.

Pavarësisht atyre, ato 40 firma nuk mund të zhbëhen dhe pikërisht për këtë arsye mbajnë një bekim hyjnor. Nderim dhe përulje ndaj atyre 40 baballarëve të kombit që hipotekuan shtetin shqiptar dhe na e kanë lënë trashëgimi! Gëzuar ditën e bekuar të kombit, 28 nëntorin!/dritare.net