
3 vite burg për ata që braktisin kafshët në rrugë
Dritare.net
Braktisja dhe keqtrajtimi i kafshëve mund të të çojnë pas hekurave. Ky është mesazhi i fortë që jep drafti i ri i Kodit Penal, i cili për herë të parë përfshin një kapitull të veçantë për mbrojtjen e kafshëve. Nëse lë pas dore qenin apo macen në kushte që rrezikojnë jetën e tyre, mund të përballesh me deri në 3 vite burg. Masat e reja ndëshkuese, të hedhura për konsultim publik, parashikojnë sanksione penale edhe për dëmtimin apo trajtimin mizor të kafshëve, me qëllim ndalimin e abuzimeve dhe promovimin e një sjelljeje më humane ndaj tyre.
Neni 943
Dëmtimi i kafshëve shtëpiake
1. Shkaktimi te një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur apo që jeton përkohësisht apo në mënyrë të vazhdueshme nën kontrollin njerëzor, jashtë veprimtarive të rregulluara ligjërisht dhe me çdo mjet ose procedurë, të një dëmtimi të përhershëm ose të përkohshëm, përfshi aktet me natyrë seksuale, për të cilat kërkohet trajtim veterinar për rikthimin e shëndetit të kafshës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2. Po kjo vepër, e kryer ndaj një kafshe vertebrore që nuk përfshihet në kategoritë e lartpërmendura, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
3. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe shtëpiake, të zbutur, të stërvitur ose që jeton përkohësisht ose përgjithmonë nën kontrollin e njeriut, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
4. Kur, nga kryerja e veprës së parashikuar në paragrafin e parë shkaktohet ngordhja e një kafshe vertebrore të ndryshme nga ato të përmendura në paragrafin e tretë të këtij neni, dënimi shtohet deri në një të dytën e tij.
5. Kur për dëmtimet e shkaktuara nga kryerja e kësaj vepre nuk kërkohet trajtim veterinar ose kafsha është keqtrajtuar rëndë pa i shkaktuar dëmtime, dënohet me gjobë ose me një dënim plotësues të përshtatshëm për natyrën e veprës penale të kryer./K.C/dritare.net

















