
17-vjeçarja tenton vetëvrasjen me armë zjarri. Arrestohet i ati për dhunë
Dritare.net
Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në lagjen Kushtrimi, ku një 17-vjeçare tentoi të vetëvritej me armë zjarri, duke pësuar plagë të rënda në kokë.
Si pasojë e hetimeve të deritanishme, është arrestuar babai i saj, shtetasi S.S., 43 vjeç, i cili akuzohet për dhunë në familje. Sipas deklaratës zyrtare të Policisë së Shtetit, e mitura tentoi vetëvrasjen pas një episodi dhune të ushtruar nga i ati.
Ngjarja ndodhi në banesën e gjyshërve të vajzës, ku sipas hetimeve paraprake, është përdorur një armë zjarri tip pistoletë, e cila dyshohet se mbahej pa leje nga gjyshi i saj. Për këtë arsye, edhe gjyshi është vënë nën hetim në gjendje të lirë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Policia bën me dije se arma e krimit nuk është gjetur ende, pasi dyshohet se është fshehur nga familjarët menjëherë pas ngjarjes.
17-vjeçarja u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një video e publikuar në rrjete sociale tregon momentin dramatik të shoqërimit të babait nga policia në ambientet e spitalit. Në pamje, ai refuzon të shoqërohet, duke thirrur “Po më vdes çupa, ore!”, por oficerët e shoqërojnë me forcë, në zbatim të urdhrit të ndalimit.
Policia e Vlorës vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të tjera./L.F-dritare.net

















