15 vite nga 21 Janari, Rama për Berishën: Deshi t’ju tregonte shqiptarëve se të vret me të vërtetë
Dritare.net

Sot shënohen 15-vite nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues para Kryeministrisë, mes tyre Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Kryeministri Edi Rama ka pritur në Kryeministri familjarët e viktimave të 21 Janarit.
“Për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë. Përveç një veture te një derë që u hap nga brenda, si një ftesë në një kurth , askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e ashtuquajtur të sigurisë dhe për t’u futur në godinë. Askush nuk provoi praninë e asnjë arme të vetme te protestuesit. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror.
Vetëm zoti e di se me çfarë guri në zemër vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit. 15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Nuk ka mjaftuar as vendimi rrëqethës i Gjykatës së Strasburgut, që prokurorët specialë të kësaj republike t’ia kishin kërkuar Gjykatës Speciale përgjegjësit për 21 Janarin. Ndërkohë që ne prej plot 6 vitesh u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe Presidentit të Republikës, pa llogaritur heshtjen për gabimet e tyre ndonjëherë shqetësuese”, tha Rama./L.F-dritare.net