Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ish-ministri tregon prapaskenat e pengmarrjes së autobusit grek, nga Flamur Pisli

Ish-ministri tregon prapaskenat e pengmarrjes së autobusit grek, nga Flamur

Një nga ngjarjet që tronditi opinionin publik në vitin 1999 ishte pengmarrja e një autobusi grek nga emigranti shqiptar Flamur Pisli. Spartak Poçi, në atë kohë ministër, rrëfen në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTv, orët dramatike të negociatave. Pisli, një djalë punëtor nga Burreli që pretendonte se ishte mashtruar dhe keqtrajtuar nga policia greke, kërkonte 60 mijë dollarë si dëmshpërblim për punën e papaguar. I armatosur me kallashnikov dhe bomba dore, ai hyri në territorin shqiptar duke mbajtur peng pasagjerët.

Poçi tregon se si tentoi personalisht të negocionte me Pislin, duke i ofruar garanci për jetën dhe lirinë nëse lironte pengjet dhe merrte paratë. "Merri paratë dhe ik, nuk do të të ndjekë njeri.', i kishte thënë ministri, në përpjekje për të shmangur gjakderdhjen. Megjithatë, situata doli jashtë kontrollit në Qafë-Krrabë. Forcat speciale RENEA ndërhynë për të neutralizuar pengmarrësin, por operacioni përfundoi tragjikisht. Pisli u vra, por nga një plumb rikoshet humbi jetën edhe njëri prej pengjeve, i cili fatkeqësisht ishte shok i pengmarrësit. Poçi e përshkruan këtë si një nga momentet më të vështira emocionale, duke njohur dëshpërimin e emigrantit që kërkonte drejtësi në mënyrë të gabuar, por edhe detyrimin e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve të pafajshëm./dritare.net