Për 4 mijë euro shëroj autizmin. Arrestohet mashtruesi në Kosovë
Dritare.net

Qytetari nga Gjilani, Arianit Sllamniku është ndaluar nga policia pasi dyshohet se u përshkruante fëmijëve "terapi" për autizëm në vlerë mijëra euro, duke pretenduar se i shëron. Policia e Gjilanit ka zhvilluar hetime brenda vendit ku Arianit Sllamniku ushtronte veprimtarinë e tij. Policia është ende në proces të identifikimit dhe intervistimit të dëshmitarëve që kanë dhënë deklarata në media.
"Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin", thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.
Edhe Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, gjatë së hënës reagoi ndaj këtij rasti si dhe iu bëri thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhej në reagimin e MSH-së./K.C/dritare.net