
10 histori dashurie për shqipen! "Fol shqip", një dokumentar nga Rudina Xhunga!
Dritare.net
DritareTV prezantoi sot një dokumentar kushtuar gjuhës shqipe.
Rudina Xhunga, autorja e ciklit “Fol shqip” shprehet se këto janë 10 tregime dashurie për gjuhën shqipe, të cilat erdhën si rezultat i një pyetjeje që bëri vajza e saj; “Mami pse duhet të mësoj shqip kur ne të gjithë flasim shqip?” Për përgjigjen e kësaj pyetjeje Rudina Xhunga intervistoi 10-të akademikë, profesorë, studiues të shqipes, të cilët duke iu përgjigjur pyetjes së një fëmije iu përgjigjën pyetjes së të gjithë fëmijëve, pse duhet ta mësojnë shqipen, por sidomos të nënave që duhet t’i ushqejnë me shqipen fëmijët dhe për më tepët mësuesve, të cilët kanë detyrën e madhe të ruajtjes së shqipes.
I pari në këtë cikël emisionesh ishte profesor Rexhep Qosja, i cili thotë shqipja letrare është arritja më e madhe, historike kombëtare e popullit shqiptar.
"Gjuha standarde, gjuha e njehsuar letrare kombëtare shqipe, është e rëndësishme për të gjithë, pavarësisht cilin dialekt përdor. Kjo gjuhë ju ka bërë të mundshme shkrimtarëve, të kenë jo një rreth më të vogël lexuesish, për shembull, ata lexues që i përkasin një dialekti, por të gjithë lexuesit shqiptarë do të aftësohen për ta lexuar, kuptuar dhe shijuar letërsinë që krijohet. Sepse letërsinë kombëtare shqiptare e krijuan rilindësit, nëpër kolonitë e tyre. Në radhë të parë nëpër kolonitë. Në Bukuresht, në Kajro, në Stamboll, Bullgari, Belgjikë dhe natyrisht në atdhe. Kjo gjuhë standarde u bë një faktor shumë i rëndësishëm kombëtar. Ajo me frytet e veta shoqërore kulturore politike, iu bëri të mundshme kulturës dhe qytetërimit shqiptar, të barazohen me kultura të popujve të tjerë, që e kishin krijuar gjuhën letrare shumë kohë më parë. Kjo gjuhë e njehsuar letrare u bë faktor madhor, që ishte kohezioni shoqëror politik, kombëtar e moral në jetën e popullit shqiptar. Pati ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin, forcimin e identitetit historik të popullit shqiptar. Nuk është e çuditshme që Serbia e ka parë me shumë shqetësim të madh kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Por kujdesi, pranimi dhe aprovimi i kësaj gjuhe në Kongresin e drejtshkrimit e varrosi përpjekjen e Serbisë. Ata thonin se shqiptarët janë dy kombësi. Por kongresi i drejtshkrimin e varrosi përgjithmonë këtë politikë të tyre. Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe, gjuha e njehsuar letrare shqipe është një arritje historike kombëtare e popullit shqiptar, e përjetshme."
Ndërsa gjuhëtari Xhevat Lloshi ka vetëm një mesazh për shqiptarët që jetojnë jashtë:
"Shkoni ku të doni, por duhet ta dini ku të shkoni. Marrim gjendjen e gjuhës shqipe sot, në gjuhën shqipe kemi një vërshim të fjalëve të huaja për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë të shqiptarëve me gjuhët e huaja. Jo vetëm në shkollë, por nga lëvizjet jashtë vendi. Ka rëndësi që kjo gjuhë të ruaj palcën e saj dhe strukturën, atëherë nuk ka nevojë për një shqetësim të madh. Shqiptarët shquhen për aftësinë për të mësuar gjuhë të huaja. Dhe në kontaktin e jetës së përditshme dhe unë njoh shtetas të huaj prej vitesh në Shqipëri që flasin me një shqipe shumë të çalë, kurse shqiptarët për një kohë shumë të shkurtër flasin shumë mirë gjuhën e vendeve të tjera. Këta shqiptarë që shkojnë jashtë shtetit me kalimin e kohës kthehen në dy gjuhësh. Ne do të shkojmë në një gjendje ku të gjithë shqiptarët do të jenë dy gjuhësh."
Profesor Emil Lafe na paraqet një panoramë të qartë të standardizimit të gjuhës shqipe, atë standard që kemi ende sot.
"Në vitet 1960-1961 nisi puna për te bërë një drejtshkrim më të plotë, me kërkesën e Ministrisë së Arsimit, e cila më pas iu drejtua institutit të gjuhësisë së atëhershme që shkollave u duhej një libër për drejtshkrimin. Instituti vendosi që të bëhej një drejtshkrim i ri. U mblodh Komisioni Organizues i Kongresit të Drejtshkrimit, unë isha sekretar dhe në vitin 1967 doli drejtshkrimi i sotëm si projekt. Ky projekt ngjalli interesim edhe në Kosovë. Në Kosovë u vendos që të zhvillohet një konsultë e shqiptarëve të Jugosllavisë, siç quhej atëherë, për të diskutuar çështjen e gjuhës shqipe. Kosova vendosi që të marrë gjuhën e shtetit amë. Një komb, një gjuhë letrare kombëtare. Ishte një vendim krejt i pavarur nga ata dhe befasues për ne. Në Republikën Socialiste të Maqedonisë që kishte kompetencat e saj si republikë, u ngrit një komision që vendosi që shqiptarët e Maqedonisë të marrin gjuhën e Tiranës. Gazeta që dilte në Shkup, “Flaka e Vllaznimit”, pas këtij komisioni, u bë “Flaka e Vëllazërimit”. Kur është fjala për një komb, një kulturë duhet patjetër një trajtë e përcaktuar. Ky vend do quhet Shqipëri, Shqipni, apo Shqypni. Kjo është gjuha standarde! Një popull, një komb duhet të ketë një gjuhë të vetme të përcaktuar. Nuk e kanë shpikur shqiptarët, por e kanë të gjithë popujt e tjerë, që e kanë arritur shumë kohë para, vetëm se shqiptarët ishin të vonuar. Viti 1968, kur praktikisht shqiptarët zbatonin një normë letrare, projektin e Tiranës, quhet viti që fitoi kjo gjuhë e njehsuar letrare, kombëtare, e përbashkët. U bë fakt pa vendim të përgjithshëm. Maqedonia e mori një vit më përpara, Kosova e mori në 1968-ën, kur në Tiranë po diskutohej. Atëherë filluan edhe lidhjet, marrëdhëniet, kontaktet midis universitetit të Tiranës dhe Prishtinës. Kongresi i Drejtshkrimit u organizua nga Universiteti i Tiranës, sepse nuk ishte ngritur Akademia e Shkencave dhe u krijua një komision me përfaqësi të gjerë nga Kosova, Maqedonia, nga Mali i Zi dhe Arbëreshët e Italisë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ishte fryt i një bashkëpunimi, mirëkuptimi, ndërmjet gjuhëtarëve të Shqipërisë dhe Kosovës në radhë të parë, që ai projekt gjuhësor të përpunohej, të pasurohej, saktësohej dhe të kishim një drejtshkrim të përgjithshëm të përcaktuar. Një drejtshkrim, duhet të ketë një bazë dialektore të caktuar, te ne ishte baza e toskërisht veriore."
Nga ana tjetër shkrimtari Edmond Tupja i shqetësuar tregon se si po vriten prej vitesh familjet e fjalëve në gjuhën shqipe.
"Sot po preket fjalori, grupi i fjalëve shqip. Po preket fjala. Janë zëvendësuar me fjalët e huaja. Për shembull: Në fillim fare ishte eveniment, tani është event. Pse mos thonë ngjarje e shënuar. Apo në vend të frikësoj, tut, tremb, përdoret intimidoj. Me një të folur ikin katër sinonime. I vret familjet e fjalëve. Ne kemi në shqip befas, befasi, i befasuar, befasisht. Tani përdoret i surprizuar, surprizë, surprizon, surprizues. Iku familja e fjalëve në shqip. Nuk thotë më njeri: Kam një të papritur për ty, apo më befasove. Një fjalë e huaj, po zhduk një familje të tërë fjalësh në gjuhën shqipe.
"Gjuha thotë Konica, e ngjiz kombin. Iku gjuha, iku kombi!""
Gjuhëtari Rami Memushaj ngre një shqetësim të madh, luftën e dialekteve gegërisht-toskërisht në Shqipëri.
"Gjuha standarde është një arritje mbarëkombëtare dhe mori miratimin e gjuhëtarëve nga të gjitha hapësirat, madje dhe diaspora dhe abreshët e Italisë. Madje gjuha standarde është zbatuar për herë të parë në Maqedoni. Që nga vjeshta e vitit 1966 doli në gjuhën letrare dhe në shkurt 1967 në një artikull që u tha se pse zgjodhën gjuhën letrare, thanë sepse ky është një kontribut për kombin, megjithëse kombi tani është i përçarë politikisht. Nga kontestimet e pas viteve 2000 që e quajtën se shqipja që flitet në Kosovë ka status minoritar në krahasim me shqipen, këtu erdhën edhe nga shtytja e krahinorizmit, për të bërë gjuhën dardane. Kjo është për të ardhur keq dhe ka një grup atje që vazhdojnë këtë luftë dhe helmojnë brezin e ri. Janë anëtarët e Akademisë së Shkencave të Kosovës, ka dhe pedagogë të departamentit të gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, që i përmbahen kësaj vije. Para pak kohësh më erdhi një video ku një gjuhëtar kishte dalë dhe thoshte se gjuha e një reperi me një nga këto këngët që nuk kuptohen, duhet të jetë gjuhë standarde. Unë them se këta njerëz janë pak të lexuar."
Ndërsa pedagogu i letërsisë Ymer Çiraku shprehet optimist për të ardhmen e gjuhës shqipe, pavarësisht se globalizmi po ecën me hapa të frikshme.
"Jemi përpara një globalizmi, që është vërtetë i bukur e i mirë, të jep hapësira, por edhe të frikëson. Sepse përballë këtij globalizmi mund të humbasim gjuhët e popujve më të vegjël, kulturat e popujve më të vegjël. Personalisht kam besimin se asgjë nuk mund t’i bëjnë shqipes. Kur nuk i ndodhi gjë kur ishte në kushte shumë më të vështira, kur nuk lejoheshin shkollat në gjuhën shqipe, nuk do t’i ndodhë as tani. Kur shfaqen qëndrimi të tilla nga fëmijët që thonë; “ç’më duhet shqipja”, ne më të rriturit duhet të bëjmë ç’të jetë e mundur që ata të ruajnë shqipen. Edhe në emigracion vlen e njëjta gjë. Ka familje që e ruajnë, e flasin dhe e shkruajnë shumë mirë shqipen, marrin tekste nga libraritë tona për të mësuar shqipen. Ka dhe një snobizëm të çuditshëm. Kur i dëgjojmë disa të flasin me një theks të huaj nuk na vjen mirë fare. A thua ti janë grekë, italianë, gjermanë. Jo, ai është brezi i parë që lind në këto shtete. Si mund të ndodhë kjo me këta fëmijë? Ky është brezi i parë, nuk dihet çfarë ndodh pastaj me brezin e dytë, të tretë a të katërt."
Historiani i gjuhës Seit Mansaku tregon luftën e shqipes për të mbijetuar ndërsa ishte përballë latinishtes dhe greqishtes. Ndonëse ishte mes dy fuqive të mëdha, thotë profesor Mansaku, shqipja mundi t’i rezistojë kohës dhe nuk u asimilua.
"Shqipja ka një paradoks në historinë e saj. Është një gjuhë e lashtë, por është dokumentuar me shkrim vonë. Pushtimet e herëpashershme të vendit, nuk e kanë lënë të marrë frymë gjuhën shqipe. Si ka mundësi që nuk u shkrua gjuha shqipe, kur ndodhej midis dy kulturave të mëdha, kultura greke dhe asaj latine, gjuhë të shkruara prej kohësh? Këto kultura nuk kanë qenë faktorë pozitivë për ta shkruar gjuhën shqipe. Por them që kanë qenë faktorë pengues. Sepse që nga fillimi i epokës së pas Krishtit, Shqipëria ishte e pushtuar nga Perandoria Romake, deri nga shekulli i IV. Pastaj kur u nda Perandoria Romake në dy pjesë, të lindjes dhe perëndimit, Shqipëria i takoi lindjes me kryeqytet Bizantin, serish nën ndikimin e kulturës greko-bizantine. Pastaj erdhën sllavët, osmanët. Administrata e kohës që kishte edhe shqiptarë midis tyre, po përdornin si gjuhë zyrtare latinishten dhe më vonë greqishten. Ata që e kishin në dorë ta shkruanin që kishin formim intelektual, nuk e përdornin. Duke mos pasur shkolla që të shkruhej një gjuhë, duhet të kishe edhe njerëzit që ta lexojnë, pra kujt i drejtohesh. Prandaj shqipja ka mbijetuar më shumë si gjuhë e folur. Por është për t’u mburrur që shqipja mundi t’i shpëtojë asimilimit se mund të zhdukej fare pas gjithë atyre pushtimeve me sundues të fuqishëm, me gjuhë dhe kultura të nivelit botëror, siç ishte latinishtja apo greqishtja."
Gjuhëtari Et'hem Likaj shpreh nevojën e madhe që kanë institucionet arsimore, shkencore dhe ekzekutive për të pasur redaktorë dhe korrektorë, për të mbrojtuar standardin, monumentin më të rëndësishëm të kulturës shqiptare.
"Standardi i shqipes ka ecur në rrugë që dihen, por ishte 1972-shi që vendosi pikën e fundit, që u pranua si standard mbi bazën e zgjedhjeve dhe kritereve të njohura shkencore që janë ndërtuar edhe gjuhët e tjera standarde. Pas 1972–shit, përpjekjet e institucioneve shkencore dhe mësimore kanë qenë të mëdha. Më vonë u hartuan dokumente që mbështesin parimin e Kongresit të Drejtshkrimit. U vu detyrë që të krijohej një gramatikë shkencore dhe e plotë për gjuhën shqipe që deri atëherë mungonte. Jo vetëm gramatika, por edhe fjalori që të ishte në përshtatje me normat e standardit. Këto ishin vepra kolosale, madhështore, që u përshëndetën jo vetëm nga opinioni mbarëshqiptar, por edhe nga ai ndërkombëtar. Madje u cilësuan nga ata monumentet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Çështja tjetër është për njohjen dhe zbatimin e standardit dhe kjo përgjegjësi nuk i takon institucioneve shkencore, por i takon institucioneve vendimmarrëse, ekzekutive, për shembull Ministria e Arsimit. Këtu ka një mospërputhje të niveleve të arritura për standardin nga institucionet arsimore, shkencore dhe ato ekzekutive për ta arritur atë. Nuk ka ndonjë përpjeke nga Ministria që të ndihmojë në zbatimin e standardit. Çfarë duhet të bëjë? Një përpjeke që mund të bëjë është vendosja e redaktorëve në disa institucione që lidhen drejtpërdrejt me standardin, në redaksitë e gazetave, televizioneve, institucionet shtetërore që hartojnë shkresa. Pushteti i tyre duhet të imponohet, që të detyrohen të kenë redaktorët e tyre."
Akademiku Rexhep Ismajli thotë se ka një krizë sot me gjuhën shqipe dhe jemi ne ata që duhet ta shërojmë gjuhën shqipe, duke e përdorur sa më shumë.
"Ka një krizë, por kur ka një krizë gjithmonë ka një ndryshim që shkon për mirë. I sëmuri që është në krizë shërohet. Të shpresojmë te shërimi dhe jo te vdekja. Shërimi varet prej nesh dhe prej aftësive tona për zhvillim. Përdorimi i shqipes është i vetmi ilaç. Të përdoren të gjitha varietetet, pa kufizime. Kufizimi që vetëm standardi të jetë formë identiteti nuk është në rregull. Shqipja e tërë është pjesë e identitetit."
Gjuhëtarja dhe pedagogia Linda Mëniku vendos theksin te nevoja e madhe që kanë shqiptarët jashtë për të pasur mësues të shqipes.
"Shqiptarëve të Greqisë u duhet futja e shqipes në shkolla. Ata janë më shumë. Janë rreth 700 mijë shqiptarë në Greqi. Mësuesit shqiptarë atje janë të organizuar në një shoqatë. Është Qendra e Studimeve për Diasporën në Shqipëri që i ka mbledhur për të komunikuar me ta. Janë me qindra mësues vullnetarë. Por çfarë mund të bëjë Ministria e Arsimit? Mund të ofrojë një pagë për shkollat që kanë numrin më të madh të nxënësve. Sepse ai që është emigrant në Greqi, Itali dhe nuk ka mundësinë të zhvillohet në karrierën e tij mundet që nga kjo pagesë që merr nga Ministria e Arsimit t’i rritet dëshira për të punuar edhe më shumë me nxënësit pikërisht sepse do të ndihet i punësuar. Pra është mësues në Greqi apo Itali. Është e domosdoshme mbështetja financiare që t’i japësh dinjitet, integritetet kësaj gjëje. Sepse janë pafund shqiptarët jashtë. Në Zvicër janë 100 shkolla shqipe, punojnë me botimet e Qendrës së Diasporës, një pjesë e mësuesve janë vullnetarë. Një pjesë e tyre nuk janë mësues të mirëfilltë, por dalin vullnetarë që të mbështesin komunitetin shqiptar, për t’u mësuar lodrat fëmijëve, për t’u mbledhur fundjavave dhe t’i argëtojnë fëmijët duke komunikuar shqip. Shteti shqiptar e ka ndërtuar strukturën, por mund të bëhet më shumë. Ambasadat shqiptare duhet të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare dhe ku është e mundur të ngrihen institute kulturore të cilat duan financime të forta. Por pa këto financime ne shuhemi. Sepse brezat që do të vijnë nuk do të kenë mundësi ta mësojnë shqipen dhe nuk do të ketë kush të vijë në Shqipëri. Fëmijët që janë jashtë kanë nevojë për mësuesit e Diasporës."
Emisionet e plota të ciklit "Fol Shqip" mund t'i ndiqni në Youtube Rudina Xhunga dhe DritareTV. Shikim të këndshëm!/K.C/dritare.net

















