Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

1 Maji i vërtetë: Gratë e fshatit tim

1 Maji i vërtetë: Gratë e fshatit tim

Nga Xhensil Shkëmbi

Këto 3 foto i shkrepa në fshat, në tre fshatra. Sot. Nuk u ndjeva mirë. Administrata ishte pushim, shumica e zyrave pushim por për këto gra nuk ka një gjë të tillë. Nën diell, që prej orës 8 të mëngjesit, vetëm 30 minuta kishin ndaluar në drekë për të ngrënë bukë. Kishin vazhduar prap. Deri sa të bjerë dielli. Shumica e grave që jetojnë nëpër fshatra janë heroina. Këtë e them me plot gojë. Kështu më kanë rritur e mua prindërit. Nën diell, nën shi, tokave. Me sakrifica.

1 Maji i vërtetë: Gratë e fshatit tim

Gratë që jetojnë në fshat nuk dinë të dalin mbasdite për kafe të shkretat. Sapo kthehen, u duhet të vazhdojnë të jenë në punë. Ka punë shtëpia. Do gatuajnë, do lajnë. E dini sa herë e kam dëgjuar nga gratë e fshatit fjalën; "Të kisha një çupë? Do kisha shpëtuar të paktën me punët e shtëpisë"

1 Maji i vërtetë: Gratë e fshatit tim

Gratë e fshatit dalin mbase vetëm për 8 Mars. Ashtu, përpiqen të vishen bukur, njëherë ne vit. Ja mbase dy. Në Shqipëri vazhdon ende mendësia që grave të fshatit nuk u festohet ditëlindja. Në qoftë se sheh një grua në fshat të drejtojë makinën, ja bëjnë me gisht. Gratë e fshatit tim zgjohen herët e flenë vonë. Edhe kur burrat u dehen, ato prap heshtin. Punojnë. Gratë e fshatit tim shkojnë rrallë tek parukieria. Ato kanë shiun (mbase edhe lotët) si përdorues kozmetik për fytyrën e tyre. Gratë e fshatit tim e dinë çfarë është lumturia, pak sekonda liri e çlodhje.../dritare.net