Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga Konica te TeleRama, ca arsye pse nuk  bëhet Shqipëria me shqiptarë!

Nga Konica te TeleRama, ca arsye pse nuk  bëhet Shqipëria me
Nga Dritare.net

Teksa po shkruaja këtë shkrim, nëpër mend më kalonin shprehjet e Faik Konicës. Vërtet ishte kritiku i madh i shqiptarëve, por nuk pati kurrë qëllim t’i dëmtonte ata. Pati qëllim që t’i ndërgjegjësonte, që të përmirësonin defektet e tyre. Se në të kundërt, nuk do të kishte kërkuar të prehej në Shqipëri, lutje që nuk ju plotësua për dekada. Gjithsesi, shprehja e tij “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë”, mbetet aktuale dhe e vërtetë, që tregon se problemi është i njëjtë dhe fati i pandryshueshëm.

Shqiptari, miku i mirë i gënjeshtrës, armiku i së vërtetës

Doni të numëroj rastet? Janë të pafundme. Po ju tregoj një rast të thjeshtë të brezit të internetit. Po lexoja komentet e të rinjve tek një faqe e ndjekur në rrjetet sociale. Ishte publikuar një foto, gjoja nga azili, ku sipas tyre një i moshuar e festonte 71 vjetorin, me dy qirinj, të zhytur në pjatën me pilaf. Komentet ishin plot keqardhje dhe vuajtje, për njeriun e gjorë. Inteligjenca zero. Si mundet njeriu të blejë qirinj, kur nuk ka as tortë? E mbi të gjitha, një njeri që nuk ka para, nuk ka as tangërllik e as që i shkon mendja për qirinj. U habita që shumicës së komentuesve i dukej e besueshme, një gënjeshtër e tillë. Kështu që kushdo që është politikan këtu në Shqipëri, ka për të pasur jetë të gjatë. Gënjen 1 muaj dhe bën qejf për 4, 14 apo 40 vjet.

Shqiptari nuk e do lirinë, por mbi të gjitha nuk rri dot pa pushtues

Për të gjithë ata që mendojnë se jemi çliruar ndonjëherë, po ju them se e keni gabim. Nuk jetojmë dot të lirë ne. Pas turkut, grekut, italianit dhe luftës së tyre, menduam se u liruam. Jo, iku lufta, por jo pushtimi, i cili transformohet dhe merr forma të reja. Mund të mendohet se jemi të lirë, kur nuk e kemi provuar kurrë këtë ndjenjë? Pas 500 vjetësh turku erdhi sërish me telenovela. Italiani erdhi me call center, e na i ktheu të rinjtë në robotë, që marrin çdo lloj instruksioni për të mashtruar. Si mund të quhet i lirë një vend, ku instruksionet i japin ende ndërkombëtarët, e Gjermania rrëmben mjekët dhe infermierët?

Shqiptari është specialist për çdo shpikje në botë

E keni kuptuar pse dy shqiptarë nuk bëhen bashkë? Sepse secili kujton se është më i zgjuar se tjetri, prandaj debatet përfundojnë në sherre, ende pa nisur. Kujtojnë se dinë çdo gjë dhe kanë zhdukur specialistët e ekspertët. Prandaj këtu ka shumë thashetheme dhe aspak të vërteta. Pyetini për çfarë të doni, ata e kanë një mendim për të. Keni dëgjuar ndonjë të thotë “nuk e di”, ose “nuk e bëj dot”? S’keni dëgjuar, se nuk ka. Janë aq specialistë, sa e bëjnë biografinë që në lindje. Rastësisht lexova shkrimin e një 20 vjeçari dhe pashë që në fund kishte bërë biografinë e vet. Jam shumë kurioze çfarë mund të shkruajë ai, kur të jetë pensionist.

Shqiptarin lëre pa bukë, por jo pa politikë

E them këtë, sepse vetëm shqiptarët zihen për politikë. Mund t’i lësh pa bukë, pa ujë, pa energji, por nuk heqin dorë nga politika. Feja e shqiptarit nuk është më shqiptaria, por është politika. Teksa isha ulur një ditë në një kafe, dy persona në tavolina të ndryshme po bisedonin për Ramën. Njëri e shante, duke thënë se e kishte vendosur Shqipërinë në vend të parë për çdo gjë të keqe, e tjetri e lavdëronte, duke thënë se vetëm ai do ta bëjë Shqipërinë. E pastaj ngritën tonin e zërit, filluan sharjet. U desh largimi i njërit, që të mos bëhej ndonjë e pabërë. Dhe e dini kush zihet? Ata që përfitojnë, me ata që iu janë ndërprerë burimet. Logjikisht zihen për paranë, sepse ideali nuk ekziston.

Vetëm një shqiptar krijon një televizor, për të  sfiduar të vërtetën

Sa herë që kujtoj televizorin e kryeministrit, mbaj barkun me dorë. Qesh me të madhe  e më ngjason me Ministrinë e Propagandës së Hitlerit. E dini vetë se çfarë ndodhi në atë periudhë, ku e “vërteta” dilte nga shteti. Një propagandë e tillë në kohët e sotme duket çmenduri. A thua se ministrave ju janë mbyllur dyert e studiove televizive, e nuk po gjejnë hapësirë për të shprehur mendimin e tyre, prandaj dalin në ato pyetje- përgjigje qesharake dhe të stisura.

Si mund të jetohet në një vend, ku qeveria pasi blen gjithë mediet bën edhe një TV për qejf te vet.  Prandaj mos u habisni me arsyen e largimeve dhe boshatisjen e vendit.

Deri këtu s’kam thënë asgjë. Por, duke parë armiqësinë ndaj të vërtetës, po bëj pak pushim./Dritare.net