Nexhmije Hoxha rrëfen si e njoftoi Ramizi vdekjen e Mehmetit: Amanetet që la për Enverin

 

Enver Hoxha, me gjithë shqetësimin e një dite më parë, do të bënte adetet e mëngjesit e po përgatitej për mbledhjen e radhës së Byrosë Politike.

Vetëm pasi të kishte përfunduar vaktin e mëngjesit, Ramiz Alia, që kishte pritur me durim deri sa udhëheqësi të përfundonte së ngrëni, do t’i thoshte lajmin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Kështu kujton në librin e saj më të fundit “Përjetime dhe meditime në jetën time politike” e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha.

Ndër të tjera, ajo kujton momentin kur Enver Hoxha mori vesh vetëvrasjen e Mehmetit. Ndërsa ai ishte përgatitur “ta mbyllte këtë punë” me një vërejtje, Mehmet Shehu vret veten, duke i lënë pas një letër, raporton Panorama.al

Cili qe reagimi i Enver Hoxhës, pse shkoi në mbledhjen e Byrosë dhe lexoi fjalimin që kishte përgatitur të mbante për Mehmet Shehun, sikur ai të ishte gjallë, komentet që ai bëri në shtëpi para Nexhmijes dhe pyetjet që ngrinte rreth formulimit të saj.enveri+mehmeti

Atë mbrëmje të 17 dhjetorit, kur po zhvillohej mbledhja e Byrosë Politike, unë po e prisja e shqetësuar Enverin të kthehej në shtëpi. Ai erdhi pas orës 8 e 30′ të darkës, kur i kishte kaluar orari i zakonshëm i insulinës. Ishte i ngrysur dhe i mërzitur.

Mendova se e kishte nga lodhja. Ai, pasi u qetësua pak, më tregoi për mbledhjen, për diskutimet e shokëve, që siç tha ishin të hapura dhe të drejta. Megjithëse e kishin kritikuar rëndë Mehmetin, tregonte ai, të gjithë propozuan në fund masën fare të lehtë: “vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit”. Më tha gjithashtu se diskutimin e vet e kishte lënë për ta mbajtur të nesërmen, pasi u bë vonë. Pas darkës, nuk ndenjëm si zakonisht me fëmijët, por u ngjitëm të dy në studion e Enverit. Ai ndihej i lodhur dhe pasi ndenji pak, u shtri për të fjetur pak më shpejt se zakonisht, raporton Panorama.al

Nuk është aspak e vërtetë ajo që është shkruar në shtyp se Mehmeti atë natë i kërkoi Enverit të takohej me të. Është gjithashtu një trillim fund e krye ajo që është thënë se gjoja atë natë të 17 dhjetorit, ka ardhur dikush në takim tek Enveri dhe se pastaj, nga shtëpia jonë ai ka vajtur te Mehmet Shehu.Enver-Hoxha-Mehmet-Sehu-familjet-blloku

Të nesërmen në mëngjes, më 18 dhjetor, Enveri u ngrit herët, pasi dëgjoi lajmet në stacionet e ndryshme të huaja. Si zakonisht, bëri tualetin e mëngjesit dhe në orën 8:30 ishte veshur, por nuk zbriti poshtë për të ngrënë mëngjesin. Kërkoi që t’ia çonin lart në studio, siç bënte disa herë, kur nxitonte se ishte në mbledhje. Ndërsa ai po hante dhe unë po vishesha në dhomën e gjumit, që ishte ngjitur me studion, dëgjoj që Enveri po bisedonte me dikë.

Nuk mund ta them saktë se sa kohë kaloi, por në një çast Enveri hapi derën dhe hyri duke lëshuar në drejtimin tim vetëm këto fjalë: “Ai vrau veten”. Unë mbeta e shtangur nga ai lajm i papritur, por edhe nga fytyra e Enverit e zëri i tij, ku shprehej një tronditje e madhe. Menjëherë më shkoi ndër mend pyetja: Kush ia dha Enverit lajmin e vetëvrasjes së M. Shehut? Siç më tregoi Enveri, kishte qenë Ramiz Alia.

Ai kishte hyrë në dhomën e tij dhe kishte pritur që Enveri të mbaronte së ngrëni, pastaj t’i jepte lajmin, sepse, sipas zakoneve të popullit, nuk i jepet njeriut mandata e vdekjes së dikujt kur është duke ngrënë. Pasi mbaroi së ngrëni, Enveri qe ngritur dhe, duke menduar se Ramizi kishte ardhur ta shoqëronte për të shkuar në mbledhjen e Byrosë që ishte lënë për atë mëngjes, i thotë:

-Epo ja, të diskutoj edhe unë e ta mbyllim këtë çështje…
-E mbylli vetë…, – i tha Ramizi.
-Si? Çfarë? – pyeti Enveri me ankth.
-Vrau veten, – iu përgjigj Ramizi.
Enveri kishte shtangur. Pastaj kishte thënë: “Pse?? Pse e bëri këtë??”

Në atë kohë kishte hyrë në dhomë Kadri Hazbiu dhe i kishte dorëzuar zarfin me letrën që Mehmeti ia drejtonte Enverit. Enveri, i shqetësuar, e lexoi letrën aty për aty, në studio, pastaj ua dha për lexim Rmiz Alisë dhe Kadri Hazbiut. Kur erdhi tek unë, Enveri ndihej i tronditur, por edhe i revoltuar.

Por po afronte ora e mbledhjes dhe ai u përpoq të mblidhte veten. Para orës 10 të datës 18 dhjetor, shokët e Byrosë filluan të hynin, kush më parë e kush më pas, në dhomën që ishte pranë sallës së mbledhjeve dhe që përdorej për pushim e për kafe. Me të mbërritur aty, Enveri i njoftoi ata për vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe për letrën që ai kishte lënë. Meqë kishte ende kohë, ai ua dha atyre ta lexonin me radhë.

Kur afroi ora për të filluar mbledhjen dhe pa se kishin ardhur të gjithë, Enveri e mori letrën që të pranishmit tashmë e kishin lexuar dhe u tha:

“Ju u njohët me të… Kjo letër më drejtohet mua.. Këtë çështje do ta analizojmë më vonë…”. Mbaroi këtë fjalim, e futi letrën në zarf dhe pastaj në çantën e tij dhe fiks në orën 10 hapi seancën e dytë të mbledhjes së Byrosë Politike.

Meqë të gjithë kishin diskutuar në seancën e një dite më parë, e mori fjalën Enveri, duke thënë: “Tani edhe unë do të lexoj, ashtu si e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t’i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo po zhvillohet në mungesë të tij..”.

Enveri e lexoi të gjithë diskutimin që e kishte shkruar ditë më parë për ta mbajtur në mbledhje, ku do të ishte i pranishëm edhe Mehmeti. Por edhe në mungesë të tij, pa i bërë ndonjë ndryshim, e lexoi atë ashtu siç e kishte shkruar. Vetëm në 2-3 raste ai u shkëput gjatë leximit nga teksti i shkruar, duke bërë ndonjë parantezë, të cilat gjenden në procesverbalin e mbledhjes, ashtu siç i shprehu me gojë Enveri.

Disa prej tyre po i citoj më poshtë: Ndërsa po lexonte atë pjesë të diskutimit, ku flitej për qëndrimin e Mehmetit ndaj kritikës, Enveri u shkëput nga letra dhe bëri këtë ndërhyrje:

“.. Dëshiroj të vë në dukje se të tjerët ai kërkon që të kritikohen, kurse vetë vret veten, se nuk i duron dot kritikat e drejta të shokëve… Ai do t’i kishte dëgjuar edhe këto fjalë të miat, por nuk pati trimërinë t’i dëgjonte…”

Nga fundi i diskutimit të tij të shkruar, Enver Hoxha theksonte idenë se Mehmet Shehu, pas gjithë atyre që ndodhën, do të vazhdonte normalisht punën. Këtë Enveri e kishte shkruar tekstualisht në diskutimin e tij:

“Mehmeti me forca të reja duhet të jetë në krye të përgjegjësisë që i ka ngarkuar Partia”. Po me këtë ide, ai e mbyll diskutimin e përgatitur me shkrim:

“…. Dua të shpreh bindjen që, ashtu si të gjithë ne, edhe Mehmeti do të jetë në krye të punëve që i ka ngarkuar Partia”. Menjëherë pas këtij pasazhi, Enveri shtoi me gojë: “Mehmeti nuk pati durim, vrau veten dhe nuk e dëgjoi diskutimin tim, që bashkohet dhe është në akord me vërejtjet e shokëve. Mehmeti e kishte humbur besimin te partia”.

LEXO DHE :  Partizani-Bylisi në Air Albania Stadium, shfaqen parulla për naftëtarët

Kështu e përfundon diskutimin e vet Enver Hoxha në atë mbledhje të Byrosë Politike, e cila nuk u ndal vetëm në gabimin e fundit të Mehmet Shehut, por vuri në dukje edhe qëndrimet e gabimet e tij në të kaluarën.

Kjo, sepse u gjykua që ky gabim i fundit i tij nuk ishte një gjë e rastit, siç përpiqej ta paraqiste vetë Mehmeti, por kishte ardhur nga shkaqe të thella, që kërkonin një shtjellim të gjerë, pasi ishte gabim mjaft i dëmshëm dhe paraqiste rrezik për Partinë dhe për të ardhmen e vendit. Enveri e përjetoi shumë rëndë vetëvrasjen e Mehmetit dhe komentonte i revoltuar letrën që ai la.

Siç thashë më sipër, megjithëse i tronditur nga lajmi që mori në mëngjes për aktin e kryer nga Mehmeti, Enver Hoxha vajti në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 18 dhjetor dhe mbajti diskutimin që kishte përgatitur me shkrim. Ai u përpoq të ishte i qetë dhe ta përmbante veten. Pas përfundimit të mbledhjes, ndonëse ndihej i lodhur, ai qëndroi me shokët e Byrosë dhe bisedoi me ta për aktin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe rreth letrës që ai i kishte lënë. Pas një dite pune tepër të ngarkuar, Enveri u kthye në shtëpi vonë, kur kishte kaluar koha e drekës.

Unë po e prisja tërë merak. Pasi u ul të qetësohej, i mërzitur më foli për përmbajtjen e letrës që i kishte lënë Mehmeti. Më tha se në fund të saj ai sugjeronte që vetëvrasja e tij të trajtohej siç u bë me Nako Spirun dhe që i linte amanet familjen, Fiqiretin dhe djemtë. Unë e dëgjoja e befasuar. Kështu u ndjeva tërë ditën. Në mbrëmje, pas darke, Enveri nxori nga çanta letrën e Mehmetit. Ishte nja 3-4 faqe me dorëshkrimin e tij, që për mua ishte shumë i njohur.

Enveri nisi të lexonte (kush e di për të satën herë atë ditë) herë për vete, herë me zë. Lexonte i përmbajtur dhe komentonte pjesë të saj, herë duke bërë pyetje mbi pyetje, herë duke shpërthyer pas ndonjë pasazhi të letrës, duke thënë: “Hipokrit, intrigant e ndonjë epitet tjetër. Duke kapërcyer me indiferencë përbetimet e Mehmetit për miqësinë dhe luftën e përbashkët, Enveri ndalej në ata paragrafë që dukeshin enigmatikë ose të shkruar në gjendje përçartjeje.

Në një moment shpërtheu sikur pyeste veten:

“Ç’do të thotë ky kur shkruan ‘unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë që m’u dha mundësia -vetëvrasja’”?

Më pas komentonte me zë të lartë : “Ku është parë që vetëvrasja qenka detyrë partie?! Dhe thotë se… po vdiska për partinë, duke më lënë amanetin që “të ruaj partinë dhe socializmin…”!

Po pse ia hoqi vetes? Si bashkëluftëtar ai duhet të rronte “që ta ruante partinë dhe socializmin”. Pasi bëri një pauzë të shkurtër, dëgjova të lexonte me zë:

“Po e lë jetën për partinë, se nuk më latë rrugë tjetër për ta mbrojtur…” Dhe prapë Enveri komentonte: “Po cila ishte kjo rrugë tjetër, si nuk i paskam krijuar kushte që të thoshte të vërtetën. Po cilën të vërtetë, kur ne shiheshim ditë e natë? Çfarë lloj kushtesh duhej t’i krijoja?”

Mendohej e mendohej e përsëri lexonte:

“Po lë jetën për partinë… që të mësosh të vërtetën…”(!) Shkëpuste sytë nga letra Enveri dhe pyeste veten: “Si u mësuaka e vërteta duke vdekur?!” Pastaj Enveri u ndal tek ajo pjesë e letrës ku Mehmeti, çuditërisht, disa çaste para vdekjes, para se të vriste veten, kujtoi se 21 vjet më parë kur u prishëm me Moskën, R.Alia i paskësh thënë:

“Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistëleninistë?”, domethënë që Ramizi nuk ishte dakord që u ndanë e revizionistët hrushovianë. Dhe pas kësaj, Mehmeti shtonte duke u ankuar se Enveri nuk i paska krijuar kushtet t’i fliste se kush ishin në të vërtetë Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu dhe as për “komplotin” që paskëshin përgatitur këta të dy.

Për ç’kushte e kishte fjalën Mehmeti, kush e pengoi të fliste? Ai ishte anëtar i Byrosë Politike, Plenumit të KQ po e po. Aty i kishte të gjitha kushtet për të thënë gjithçka. Madje, po të ishin të vërteta, ai e kishte për detyrë t’ia thoshte Partisë.

Edhe sikur të donte ta bisedonte vetëm për vetëm me Enverin atë problem, ai e kishte me bollëk këtë mundësi. Të dy ishin shokë të ngushtë, Enveri e mbante vazhdimisht afër, rrinte me të, bisedonte, jo vetëm në punë e nëpër mbledhje, por edhe në kohën e lirë. Pse për fejesën e të birit erdhi me dëshirën e tij katër pasdite me radhë në takim me Enverin, në shtëpinë tonë dhe foli lirisht më të? Pra, ishte vetë Mehmeti që nuk ka dashur ose nuk ia ka mbajtur të fliste për atë çështje, që paskësh pasur lidhur me Ramizin. Dhe tani para ikjes “ankohet” se nuk i paskëshin krijuar kushtet për të folur. Dihet që mes Mehmetit dhe Ramizit ka pasur herë pas here ndonjë fërkim për çështje ideologjike.

Të dy ishin të ndryshëm në formimin dhe karakteret e tyre saç është sektarizmi nga liberalizmi. Kur në Plenumin e 4- t të KQ, 1973, kur raportin për shfaqjet e huaja e mbajti vetë Enver Hoxha, Ramiz Alia bëri autokritikë për gabimet që kishin ndodhur në fushën e artit e të kulturës, duke pranuar që kishte munguar kujdesi i duhur nga ana e tij si sekretar i KQ për ideologjinë dhe kulturën.

Mehmeti gjeti rastin në këtë Plenum të sulmonte Ramizin, duke u përpjekur ta përfshijë atë në “grupin armiqësor’ të Todi Lubonjës e Fadil Pacramit, por për çështjen në fjalë nuk tha gjë. Për ato që ai ngriti në Plenum për Ramizin, Enver Hoxha e kundërshtoi Mehmetin sepse ato nuk qenë të asaj shkalle që të barazohej me të tjerët. Po ashtu, Enveri i kujtoi Mehmetit se këto gabime të Ramizit nuk ishin gjë në krahasim me gabimet dhe fajin politik që vetë Mehmeti bëri në 1953, duke iu qarë ambasadorit sovjetik në Tiranë e duke i kërkuar ndihmën e tij e megjithatë, në atë rast Enveri jo vetëm nuk e dënoi Mehmetin, por madje e bëri Kryeministër.

Si duket, kjo mbrojtje që Enveri i bëri Ramizit në Plenumin e Katërt të Partisë nuk i pëlqeu fare Mehmetit. Duke kujtuar që akuzat e tij në rrafshin e ideologjisë e të artit nuk pinë ujë, Mehmeti ka menduar se po të hidhte në tavolinë këtë akuzë të re ndaj Ramizit për veprimtari armiqësore, do të errej si tradhti politike kombëtare. Prandaj atëherë nuk foli, por e ruajti ta përplaste në një letër si kjo në çastet e fundit./Panorama.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.