
Në ditën e Kosovës ju prezantoj me Lirimin, do të mburremi me të!
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kam vendosur t’ju prezantoj me një mikun tim, që do të bëjë krenar Kosovën dhe Shqipërinë me arritjet e tij. E vizitova Prishtinën gjatë javës, vetëm për t’u njohur me historinë e Lirimit.
Ai fluturoi nga Londra për të dhënë intervistë në RTV Dukagjini.
Rruga Tiranë-Prishtinë m'u duk më afër se Dhërmiu. Binte pak dëborë sa për lezet. Duke qenë me goma vere na rrëshqiti makina nja dy herë në malore. Apartamentin e porosita në AirBnb te lagja e Ramushit.
Lagja 'Arbëria' quhej dhe rrugica jonë ishte plot vila. Paguam 40 euro për një apartament me pamje spektakolare të Prishtinës.
Kur hapa sytë në mëngjes shikoja vetëm bardhësi, por jo i ftohtë i lagësht si në Tiranë.
Pamja e parë që njihja është stadiumi “Fadil Vokrri”. Më kujtohet që Fadili vdiq para pak kohësh dhe ka qenë dikush që ka kontribuar goxha për sportin në Kosovë. Pastaj pashë Pallatin e Rinisë e Sportit ku ndodhet New Born. Sa lezet zgjimi në Prishtinë, sidomos kur e di që të gjithë janë në punë, e ti po pushon.
Takohem me Abdylin, mikun e babit tim prej vitesh dhe Lirimin djalin e tij që ndërtonim kala rëre në Shkozet të Durrësit, kur ishim të vegjël. Një nostalgji e paparë më përshkoi gjatë këtij takimi pas 15 vjetësh.
Shoku im i fëmijërisë kishte bërë goxha progres në jetë. I kishte hyrë seriozisht sportit dhe aktiviteteve për bamirësi në Londër.
Falë garave dhe maratonave ku merrte pjesë, ka bërë të mundur të sigurojë para për fëmijët e sëmurë me kancer.
Historinë e tij me detaje e mora vesh gjatë intervistës në RTV Dukagjini. Shkojmë për vizitë në ambientet e televizionit. Si gazetare që kam punuar në televizione në Shqipëri, shikoja çdo gjë me sy kritik.
Por si zor të gjeje gabime. Ambientet ishin të reja fringo, punonjësit gjithashtu shumë mikpritës. Albioni, redaktori i televizionit na bëri një tur te studiot e reja.
Më pëlqyen disa grafite që kishin nëpër mure. Aty ku regjistroheshin emisionet radiofonike në mur shkruhej: “Unë kam fytyrën perfekte për radio”.
Lirimi ulet në një cep për të dhënë intervistën me Albionin. Filloi të tregonte historitë se është lindur e rritur në Londër, por me origjinë nga Kaçaniku i Kosovës. Më kujtohej që babi shkoi për synetllëkun e tij, të cilin e kishin organizuar si dasmë.
Çfarë gallate! Në moshën 14-vjeçare, një prej shokëve të Lirimit humbi jetën nga kanceri. “Kjo gjë më bëri të mendoj për jetën e të bej çfarë mundem për ata që kanë nevojë. Prandaj fillova sportin, vrapin, e maratonat me biçikletë për të mbështetur kauza të tilla.”,-shprehej ai në intervistë.
Në Facebook e shikoja shpesh me foto mbi biçikletë në alpet e Zvicrës dhe me flamurin e Kosovës në krah, por s'i dija detajet. Lirimi ka udhëtuar nga Londra në Stamboll me biçikletë për rreth një muaj.
Ndërsa sfidat e radhës janë akoma më të vështira. Tani në prill do të përshkruajnë shkretëtirën e Saharasë me vrap, në një maratonë gati një muaj. [video width="720" height="1280" mp4="http://dritare.net/wp-content/uploads/2019/02/WhatsApp-Video-2019-02-17-at-14.03.29.mp4"][/video] Imagjino sa vapë do të jetë! Kur e pyetën si stërvitej ai tha: “Futemi në sauna me rroba dhe bëjmë stërvitje, sepse në Angli s'e njohim vapën."Ke bërë gabim që s’ke ardhur me mua në Dhërmi,"-i thashë, "Të provosh të nxehtin afrikan."
Pas kësaj ka dëshirë të kalojë me vrap Rrugën e Kombit, Tiranë-Prizren, që për të nuk është problem i madh. Gjithsesi sfida më e madhe për të cilën do të marrë vesh gjithë bota, është kalimi i oqeanit Atlantik me varkë me pedale. Kur e mora vesh sa s’më doli zemra vendit. Unë me traget shkova deri në Bari nga Durrësi edhe më shkonin nga shtatë në mes të detit, jo më në oqean.
Bashkë me 3 shokë të tjerë, dy anglezë dhe njëri amerikan, kanë dy vjet
që stërviten për këtë sfidë të përvitshme. Pothuajse çdo ditë stërviten rreth 4 orë. Kanë mësuar edhe si të lexojnë motin, nga fryn era, si të gatuajnë gjatë kohës që do të jenë në det. Çdo vit është një grup prej 4 personash që bëjnë të njëjtën gjë, por Lirimi është padyshim shqiptari i parë që merr pjesë. Varka e tyre ka vend për të fjetur për dy persona, ndërkohë që të tjerët do të jenë duke u dhënë pedaleve. Çunat do të kenë vetëm një antenë satelitore që mund të lajmërojnë çdo ditë nëse janë mirë me shëndet. Lirimi më thotë që rekordi botëror është 28 ditë, që dikush ka kaluar nga Spanja, në ishujt Karaibe me këtë varkë. Të gjithën këtë sfidë jete do ta përdorin për bamirësi. Pra paratë që do të mblidhen nga sponsorët, do të shkojnë në ndihmë të adoleshentëve që janë me kancer. Kjo maratonë ndiqet mesatarisht nga 3 milion veta në gjithë botën livestream.
Grupi i djemve mund ta klikoni në internet në linkun ww.dorabros.com. “Ajo çfarë duam ne të bëjmë është që çdo i ri i moshës 14-22 vjeç t'u jepet falas një çantë shpine me oksigjen dhe ilaçet që u duhen. Në këtë mënyrë s’kanë pse rrinë në spital, por mund të shijojnë jetën jashtë dyerve të klinikave që s’të japin shpresë.”,- thotë Lirimi gjatë intervistës.
Takimi me shokun tim të fëmijërisë, pikërisht në Prishtinë më bëri të mendoj gjatë. Tek shëtisnim në qytet kujtoja sa e sa njerëz të apasionuar pas sportit e muzikës kanë dalë nga Kosova.
Prandaj në 11-vjetorin e Pavarësisë së krahut tonë të djathtë, vendosa të promovoj një emër që do të bëjë krenarë të dyja shtetet. Mbajeni mend mirë emrin, Lirim Gula, kur të përmbushë ato që ju thashë më sipër. Superkrenare për miqtë e mi që po pushtojnë botën./dritare.net

















