Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndahet nga jeta mjeshtri i kinematografisë, Todi Bozo

Ndahet nga jeta mjeshtri i kinematografisë, Todi Bozo
Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare mjeshtri i madh i kinematografisë shqiptare, Todi Bozo. Lajmin e vdekjes së kianistit të madh e jep i biri, Petri Bozo. Në nder të producentit do të mbahen homazhe sot nga ora 10:00-13:00 në Muzuen Kombëtar.

“Të dashur miq me hidhërim të thellë ju njoftoj se sapo u nda nga jeta babai im Todi Bozo. Homazhet organizohen nesër dt 4 shkurt ora 10.00-13.00 ne Sallën e muzeut historik kombëtar dhe varrimi ne Tufinë ora 13.30.Duke u nisur nga muzeu. Me respekt Petri Bozo”, shkruan ai.

Kush ishte Todi Bozo:

Todi Bozo lindi në Lushnjë në vitin 1934. Shkollën shtatëvjeçare e pati mbaruar në Lushnje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Kinematografisë “VGIK” të Moskës. Më 1958 Todi Bozo filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re”. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik.

Në vitin 1971 Todi Bozo kaloi në detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Kinostudios, detyrë që e kreu gjatë 12 vjetve. Ndërkohë, nga ky vit e në vazhdim dha leksione të pandërprera në Kinostudio dhe në Akademinë e Arteve të Bukura.

Mbas largimit nga detyra si zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Kinostudios, kjo për arsye shëndetësore, Todi Bozo vazhdoi të punojë për prodhimin e filmave dokumentarë. Ka qënë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist”.

Edhe mbas daljes në pension Todi Bozo nuk e ndërpreu veprimtarinë e vetë prodhuese e pedagogjike. Vazhdoi të jepte leksione në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Kineasti Todi Bozo është marrë edhe me botime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendim librin “Produksioni i filmit”, një libër profesional e shkencor, që bën fjalë për organizimin dhe teknologjinë e prodhimit të filmit. Në vitin 2014 botoi librin “Copëza kujtimesh, të ëmbla e të hidhura”, në përmbajtjen e të cilit përfshihen edhe episode të ndryshme nga puna në Kinostudion “Shqipëria e re”./L.P./Dritare.net