Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mrika Krasniqi, gruaja e vitit 2016, nga Kongresi Amerikan

Mrika Krasniqi, gruaja e vitit 2016, nga Kongresi Amerikan
Nga Mimoza Dajçi-New York

Znj. Krasniqi për punën tuaj të suksesshme në fushën e artit dhe bisnesit si në SHBA, Kosovë e më gjerë, ju jeni nderuar me shumë Çmime e Tituj të Lartë nga vende të ndryshme të botës, së fundi edhe nga Kongresi Amerikan jeni nderuar me Medaljen "Gruaja e Vitit për vitin 2016", si i keni pritur këto Çmime, si jeni ndjerë?

Secili çmim apo vlerësim ka rëndësinë e vet. Kur puna që bën vlerësohet, kjo të shtyn edhe më tej të vazhdozh tutje dhe të konfirmon se puna juaj ka vlerë, se njerëzit kanë nevojë për ty dhe prezencën tuaj në mesin ku operon, dhe mbi të gjitha të bën të ndjehesh e privilegjuar. Bashkë me privilegjin që të bën shoqëria vijnë edhe përgjegjësitë. Nuk mund të jesh e privilegjuar e të mos mbash përgjegjësi. Edhe çmimi i dhënë këtë vit nga Kongresi Amerikan më bëri të ndjehem e privilegjuar, por mbi të gjitha të mbaj përgjegjësi, që të punoj e kontribuoj edhe më shumë, në mënyrë që punën time ta vë në shërbim të njerëzve.

Diçka mbi Festivalin e Filmit në New York, si një risi e re për artëdashësit.

Festivali nisi rrugëtimin e tij më 2012, pikërisht në 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Ne porsa kemi përfunduar edicionin e 5-të dhe po përgaditemi për edicionin e 6-të. Ndonjëherë duken thjesht numra, por në këto pesë vite ne kemi prezantuar mbi 200 filma të kinematografisë shqiptare dhe rreth 50 filma të kinematografisë internacionale. Kemi promovuar fushata senzibilizuese e humanitare. Kemi ngritur fonde e kemi zhvilluar aktivitete të shumta. Kemi krijuar ura bashkëpunimi e njohje ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë ndodhur në kuadër të Festivalit Java e Filmit Shqiptar në NYC. Lindi si një ide me plot entuziasëm, dhe u shëndrrua në sukses me vlera reale, duke bërë kështu që filmi shqiptarë të ketë audiencën e tij pikërisht në kryeqendrën botërore të artit dhe kulturës.

Ju vini në SHBA me një eksperiencë pune në fushën e filmave, qofshin edhe ato dokumentarë. A mund të njohim lexuesit me karierën tuaj profesionale në fushën e artit dhe biznesit?

Jam autore, regjisore dhe producente e shume projekteve filmike. Kam studiuar Akademinë e Arteve në Prishtine, kam krijuar biznesin tim në Kosovë. Me pas ika në Amerikë për të ndjekur ëndrrën time. Më është dashur të punoj fort e fort për të arritur këtu ku jam. Por më duhet të bëj një përpjekje titanike për të notuar në këtë oqean kaq të madh. Eshtë pak a shumë si historia e peshkut të madh dhe peshkut të vogël. Unë thjesht s’dua të përfundoj në barkun e ndonjë balene, prandaj po vazhdoj të punoj edhe më shumë, edhe më shumë….

image

Si një nënë e mirë dhe e kujdesshme për fëmijën tuaj, ju Mrika keni treguar gjithashtu interes edhe për fëmijët me probleme shëndetësore ku keni realizuar filmin me titull: "You are not alone" kushtuar fëmijëve me sindromin down.

Të kujdesesh për të tjerët është dashuri. Duke treguar humanitet e përkushtim për të tjerët që janë më ndryshe se ti përjeton mirënjohjen që na bën të ndjehemi të dashur e të dobishëm. Fundja, ne të gjithë kemi nevojë për dashuri.

Le të kthehemi pak mbrapa në kohë, por jo në realizimin e dokumentarit tuaj shumë të shikuar "Goli Otok", a mendoni së është një nga sukseset tuaja realizimi i tij, përsa i përket anës humane dhe vlerave historike?

“Goli Otoku” është një histori e vecante dhe një dramë njerëzore shumë e dhimbshme. Do të doja që ta bëja edhe pjesën e dytë, pjesën e tretë…për secilin personazh që keni parë në atë dokumentar unë mund të krijoj nga një ngjarje më vete. Për pos që dokumentari flet për pjesën historike të vuajtjeve e persekutimeve që pësuan shqiptarët e Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë, mbi të gjitha janë fate të mijëra njerëzve. Këta njerëz akoma jetojnë me përjetimet që kaluan aty. Akoma askush nuk është dënuar për këtë padrejtësi, derisa njerëzit jetojnë nga të dyja palët, thjesht unë kurrë nuk jam pajtuar me këtë padrejtësi dhe akoma vazhdoj t'i kujtoj ambientet e këtij burgu famëkeq. Jam në përfundim të një skenari për film të gjatë, mbase është e vetmja mënyrë për të rrëfyer çfarë ka ndodhur aty.

Ju gjithashtu njiheni për bamirësi, humanizëm, mbrojtjen kundër dhunës, kundër trafikimit të qënieve humane. A mund të ndalemi pak tek të gjitha këto fusha, ku ju keni operuar në ndihmë të njerëzimit?

Unë kam përjetuar luftën e fundit të Kosovës dhe gjenocidin që kaluan bashkëkombasit e mi. Traumat që përjetuan fëmijët e Kosovës, eksodin…pothuajse të gjithë mbetëm pa shtepi e pa ardhmeri. Pastaj perfundimi i luftës solli shumë tranzicion të pakompromis. Për shumë vite Kosova u bë sinonim i një vendi me krim të organizuar, prostitucion e korrupsion. Vend ku nuk sundonte ligji e me një arsim të shkatërruar nga periudha e sundimit serb. Thjesht krijuam një imazh shumë të keq në botë. Kudo që shkoja nëpër festivale ndërkombëtare më trajtonin ndryshe. Ndjehesha keq për këtë gjë. Dhe atëherë kuptova se kam vetem dy zgjidhje: të pajtohesha me fatin duke u viktimizuar e duke fajësuar të tjerët, apo të punoja shumë për të zhdukur këto paragjykime që të isha një pasqyrë ndryshe për botën. Kjo ishte periudha vendimtare për mua që më shtyu të përfshihem në të gjitha këto fusha që i përmendët më lart. Shpresoj se kam bërë sadopak që të përmirësohet ky imazh. E kanë bërë edhe të tjerë artistë e sportistë. Jo më kot thuhet se artistët dhe sportistët janë ambasadorët e një vendi.

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?

Kam shumë projekte për të ardhmen që planifikoj, por aktualisht jam në implementim të një projekti ndërkombëtar që përfshin një Kontest për skenarë. Projekti menaxhohet nga kompanija ime "Nil Production Corporate" në New York, ku me këtë rast do t'i ndajmë 50000$ për 15 fituesit e këtij kontesti. Besoj që kjo është një mundësi e mirë për tu vlerësuar puna e një skenaristi. Kam punuar shumë për ta jetësuar këtë projekt. Shpresoj se do të më jepet mundësia që edhe në të ardhmen të prezantoj projekte të ngjashme që të jenë mbi të gjitha në shërbim të tjerëve./dritare.net