Monika Lubonja nis rrugëtimin e saj të ri si drejtoreshë Marketingu në “News 24”
Dritare.net
Artistja e njohur është zgjedhur në postin e rëndësishëm të drejtoreshës së Marketingut në televizionin më të njohur dhe më të madh informativ në vend, “News 24”, detyrë e cila i është besuar nga drejtuesit e këtij televizioni prej pak ditësh.
E kjo zgjedhje duket se është e duhura për Monika Lubonjën. Përveç aftësive menaxheriale në krye të Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja njihet për aftësitë e saj në marketing, kjo në sajë edhe të eksperiencave të mëparshme në këtë fushë.

Kështu, pasi e pamë për tre muaj në skenën e “Dance with me”, ku ra në sy për plastikën dhe perfomancat e saj në disiplinat e kërcimit, Monika me pranimin e ofertës ka nisur direkt punën për angazhimin e saj të ri. Vitin e kaluar, emri i saj u komentua për një çmim të rëndësishëm që ajo fitoi si aktore gjatë festivalit të komedisë “Koko Fest Festival”, në Korçë, nën drejtimin e Zamira Kitës.
Në këtë edicion të festivalit u bënë bashkë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Gjatë mbrëmjes, juria profesioniste ndau disa çmime të vlefshme për karrierën e aktorëve. Çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste” e rrëmbeu Monika Lubonja, për rolin në shfaqjen “Komedia që shkoi për dreq”.

Në një prononcim, ajo tregoi momentin kur e njoftuan se sapo kishte fituar një çmim. “Isha në gjumë kur ma dha lajmin mikesha ime, Olta Daku. Do të isha e lumtur që të ndodhesha në skenë, kur të më jepte çmimin pedagogu im dhe partneri në disa role, Ndriçim Xhepa. Pasi ishte ai që dha çmimin për mua. Më erdhi ky çmim në kohën dhe momentin e duhur! Ky çmim është i të gjithë trupës së ‘Komedisë që shkon për dreq’, tha ajo.
Monika Lubonja njihet si aktore e teatrit dhe filmit, ku ka interpretuar disa role, duke filluar nga viti 1992. Ndër filmat ku ka luajtur përmendim: ”Në kërkim të kujt” serial i vitit 2011, “Tingulli i heshtjes” serial i vitit 2010, “Tirana viti 0 (2001), “Dasma e Sakos” (1998), “Plumbi prej plasteline” (1995), “Përdhunuesit” (1995), “Pas fasadës” (1992), etj./ Panorama

