Intervista me stilisten 71 vjeçare Vera Wang/ Rrëfim mbi lumturinë!
Dritare.net
Burimi: Vanity Fair
Si shumë prej nesh, stilistja njujorkeze 71 vjeçare Vera Wang po shfrytëzon kohën e të qëndruarit në shtëpi duke u qetësuar pranë oxhakut me një koktej vodka. "Pandemia më ka bërë që ta rivlerësoj çdo pjesë të jetës sime dhe më ka detyruar të zgjedh se cilat janë përparësitë e mia në një mënyrë si kurrë më parë," tha ajo për Vanity Fair. Momentet e gëzimit të saj kanë ardhur nga gjëra të ndryshme si për shembull nga të shikuarit e serialit 'The Crown' dhe "nga një tas i vogël me portokall".
Ashtu si shumica e industrive krijuese, industria e modës ka marrë një goditje të madhe gjatë pandemisë së koronavirusit dhe as disa nga emrat më të mëdhenj në modë nuk kanë shpëtuar dot. Me fillimin e vitit të ri dhe fundin e pandemisë në horizont, Vera Wang mban ende shpresa se do të bëhet më mirë.
Vendasja nga New York, Wang krenohet me gratë që kanë dashuri për modën. Që nga hapja e dyqanit të saj të parë në 1990, Wang ka revolucionarizuar mënyrën e veshjes së grave, nga riimagjinimi i fustaneve të nusërisë tek kalimi në veshje të zakonshme dhe aksesorë informon dritare.net.
Duke kaluar kaq shumë kohë në shtëpi gjatë vitit të kaluar, Wang tha se ajo ka mësuar se "zbulimi i momenteve të vogla të gëzimit dhe pozitivitetit është i domosdoshëm, si dhe ruajtja e respektit për të tjerët dhe disiplina". Në intervistën me Vanity Fair ajo ka treguar për të gjitha gjërat e preferuara që e bëjnë të lumtur.
Cilin talent do të dëshironit më shumë të kishit?
Përgjigje e lehtë… aftësinë për të kënduar.
Nëse do të mund të ndryshonit një gjë në lidhje me familjen tuaj, cila gjë do të ishte?
Do të doja të kisha pasur më shumë kohë për ta.
Cilën konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Etikën e punës.
Nëse do të vdisnit dhe do të ringjalleshit si person apo send, çfarë mendoni se do të ishit?
Një person që punon në ndihmën e parë, në urgjencë.
Çfarë është gjëja më e çmuar që keni?
Kujtimet e mia… të mira, të mëdha, madje edhe të këqija. Ato më shërbejnë shumë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Vetminë, sëmundjen, varfërinë, urinë. Ato që bota po përballet tani.
Cili është profesioni juaj i preferuar?
Krijimi… ose të ngrënit.
Cila është karakteristika juaj më e veçantë?
Kurioziteti.
Çfarë vlerësoni më shumë tek miqtë tuaj?
Besnikërinë.
Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?
Për momentin Margaret Atwood. Dhe William Shakespeare, përgjithmonë.
Kush është heroi juaj i preferuar i trillimeve?
Proust. Ai ishte një vëzhgues i shoqërisë, ishte Instagrami i kohës së tij.
Kush janë heronjtë tuaj në jetën reale?
Punonjësit e urgjencës.
Cilat janë emrat tuaj të preferuar?
Mami.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në mënyrë paqësore.
Cila është motoja juaj?
Silluni me të tjerët ashtu siç do dëshironit të silleshin ata me ty. /Përshtatur për Dritare.net, Sara Frroku!