Mikele la Italinë për Shqipërinë: Këtu më pritën si djalin e tyre
Dritare.net

Mikele është italian, por kur flet shqip, pak kush e beson. Studenti nga Bari, që prej vitesh jeton në Tiranë, rrëfen në një intervistë për Dritare TV se shpesh shqiptarët e marrin për kosovar. "Më thonë gjithmonë që duket sikur jam nga Kosova. Unë për shaka u them: po, jam nga Gjakova", tregon ai mes të qeshurash.
Mikele erdhi në Shqipëri për herë të parë në vitin 2015 si turist, ndërsa në vitin 2017 u kthye si rezident për të studiuar stomatologji në Tiranë. Sipas tij, zgjedhja ishte personale. Shqipëria ishte afër dhe, bashkë me familjen, vendosi ta provonte. Ai pranon se në fillim situata ishte e vështirë dhe se prindërit, duke qenë djalë i vetëm, kishin pak frikë. Vetë ai thotë se nuk kishte frikë, vetëm emocion.
Shqipen e mësoi duke folur me shokët dhe me fqinjët te Pazari i Ri, ku jetonte në fillim. Sot njeh edhe dialektet.
Ka udhëtuar nga Vermoshi deri në Çamëri, si dhe në Kosovë. Ka vizituar kalatë e Gjirokastrës, Rozafës, Krujës, Porto Palermos e shumë të tjera. Qyteti i tij i zemrës është Gjirokastra, sepse i kujton vendlindjen, një qytet i vogël 20 km larg Barit. Me qejf flet edhe për kuzhinën shqiptare: oshafi i Gjirokastrës, ballokumja e Elbasanit, kabunia e Krujës, jufkat me pulë të Dibrës dhe lakrori i Korçës janë ndër të preferuarat e tij.
Mbi të gjitha, Mikele vlerëson mikpritjen. "Kudo ku kam qenë, më kanë pritur si të isha djali i tyre", thotë ai. Tregon se ka "nëna" në gjithë Shqipërinë, nga Tirana te Gjirokastra e Përmeti, zonja që i gatuajnë byrek me kungull, gatimin që ai e pëlqen më shumë. Nëna e tij në Itali, pranon me shaka, është pak xheloze, por krenare për rrugën e të birit.
Mikele thotë se është beqar me zgjedhje dhe, i pyetur nëse është i dashuruar, përgjigjet pa hezituar: "Dashuria ime është Shqipëria." Për vallen e Tropojës, këngën "Origjinale" të Aurela Gaçes dhe flamurin shqiptar që e merr me vete në çdo udhëtim, ai thotë se ndihet "pak shqiptar".
"Jam krenar që edhe unë jam biri i Shqipërisë. Shqipëria për mua është si një nënë", përfundon Mikele, duke falënderuar shqiptarët./L.F-ritare/met