Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Meta kujton eksodin masiv të shqiptarëve të Kosovës: Atë ditë kisha 30-vjetorin, nuk e festova!

Meta kujton eksodin masiv të shqiptarëve të Kosovës:
Sot, Ipeshkëvia e Dioqezës Prizren-Prishtinë organizoi një aktivitet në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri” në Prishtinë, në shenjë falënderimi ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, për solidaritetin, mikpritjen dhe dashurinë vëllazërore të ofruar ndaj shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur forcërisht nga trojet e tyre nga regjimi i Millosheviçit gjatë Luftës së Kosovës.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta ka kujtuar eksodin masiv të shqiptarëve të Kosovës, 20 vjet më parë, nga gjenocidi i Millosheviçit. Meta foli për 24 marsin e ’99-ës, si dita e jashtëzakonshme kur nisi ndërhyrja e NATO-s, por edhe e veçantë për presidentin, pasi festonte 30-vjetorin.

“Kosova u sakrifikua padrejtësisht, por Zoti është i madh e besimi s’duhet humbur asnjëherë. Viti `99 ishte një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit por sidomos për kombin tonë.

Prove, test afirmues apo shkatërrues për një vend apo një komb.

Edhe pse 24 marsi është ditë e jashtëzakonshme, për mua është ditë e veçantë, kisha 30 vjetorin por s’pata mundësinë ta festoja për shkak se për mua e çdo shqiptar nisi ndërhyrja e NATO për t’i dhënë fund gjenocidit e barbarisë në Kosovë. Kishte nisur një lindje e vështirë që do zgjaste për muaj deri në çlirimin e Kosovës, një lindje e përgjakshme me vuajtje pafund.

Por falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të virtyteve më të mira të kombit tonë e solidaritetit tuaj të treguar nga të gjithë shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri e kudo tjetër arritëm ta kalonim me një sukses të jashtëzakonshëm atë që ndodh shumë rrallë në historinë e një kombi.

Falënderime për kryeministrin e asaj kohe zotin Majko, presidentin Meidani, për gjithë forcat politike edhe pse vinin nga një ndarje e thellë e 96-97 të gjithë u bënë një trup i tërë për të përballuar atë eksod biblik e për të mirëpritur vëllezër e motra nga Kosova.

Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Milloshevicit.

Shpesh kur takohemi edhe me Zotin Majko e kolegë të tjerë e kemi të vështirë ta besojmë si mund të përballohej një krizë e këtyre të përmasave të jashtëzakonshme, kur UNHCR që ishte lajmëruar që para 1 viti jepte garanci nuk kishte më shumë se sa disa mijëra dyshekë në Shqipëri.

Kriza u përballua falë angazhimit të çdo shqiptari të thjeshtë. Vecanërisht solidaritet heroik të popullit të Kukësit, isha për disa javë atje kur kriza shpërtheu dhe padyshim sot kemi miqësi pafund mes Shqipërisë e Kosovës të krijuara në atë periudhë kur nga Tropoja deri në Sarandë të gjithë mirëpritën vëllezërit e tyre në Kosovë.

Janë pafund familjet kuksiane që nuk i mbajnë mend familjet që kanë pritur e kanë përcjellë nga Kosova edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike e sociale.

Por sot nuk jemi dhe aq të lumtur sa do të donim. Duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen e të shohim çfarë duhet bërë më mirë që të mos vëmë në lëvizje virtytet tona më të mira vetëm në kohë krizash por të punojmë çdo ditë që të evitojmë krizat dhe vështirësitë që i drejtojmë veten.

Pothuajse e kemi harruar si ishte rruga mes Shqipërisë e Kosovës 20 vjet më parë, ata që bënin rrugën nga Kukësi në Tiranë e kanë të qartë çfarë ndryshimi historik ka ndodhur falë Rrugës së Kombit, që duhet shfrytëzuar më mirë.

Të punojmë për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në këtë rajon, kjo është sfida jonë më e madhe”, tha Meta./K.C/dritare.net