
Maturantët me mesatare nën 6 nuk hyjnë në universitet. Ja çfarë duhet të bëjnë!
Dritare.net

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme ka miratuar propozimin e Ministrisë së Arsimit për të mos futur në universitet maturantët që në vitet e gjimnazit nuk kanë së paku mesataren gjashtë.
Mesatarja dysheme si kusht për të aplikuar në universitete është pjesë e ligjit për arsimin e lartë, i cili ua lë në dorë institucioneve të arsimit të kryejnë përzgjedhjen e studentëve. E vetmja ndërhyrje e qeverisë në ligj është nota mesatare dysheme.
Sipas vendimit të qeverisë, kjo mesatare dysheme mbetet në fuqi jo vetëm për maturantët, por edhe ata që përfundojnë studimet bachelor e dëshirojnë të ndjekin studimet master. “Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare”.
Vendimi u jep fund paqartësive mbi përllogaritjen e notës mesatare. Kështu, bëhet fjalë për notën mesatare të thjeshtë përgjatë gjithë viteve të gjimnazit për lëndët specifike që kërkon çdo program studimi dhe mesataren e provimeve të maturës shtetërore.
“Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
a)mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit; b)mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore”, përcaktohet në vendimin e qeverisë.
Përjashtohen nga kushti i notës mesatare dysheme ata që nuk arrijnë këtë nivel, por kanë dëshirë të ndjekin programet e studimit një apo dyvjeçare. Kështu, gjatë kohës së aplikimit me “Formularin e aplikimit në IAL”, i cili do të bëhet publik në fundin e muajit korrik, aplikantëve me mesatare nën 6 në portalin e maturës do t’u shfaqen të gjitha degët e studimit dhe mund të aplikojnë në të gjitha (përveç atyre ku universiteti ka vendosur mesatare të dytë).
Ndërsa për maturantët “pesanjozë”, nga moria e degëve të studimit, do të jenë aktive vetëm shkollat e larta profesionale. Gjithë këtë procedurë do ta kryejë Agjencia Kombëtare e Provimeve, që në ligjin e arsimit të lartë ka emrin Qendra e Shërbimeve Arsimore.

















