
Libri në shqip, Roger Scruton: Si e njoha UET dhe Ngjelën
Dritare.net

“’Filozofia Moderne’ i Roger Scruton është një risi në botën intelektuale shqiptare, e cila ndihet se, deri më sot, nuk është lagur fare nga racionalizmi. Filozofia ende mbetet një fushë e parrahur metodikisht nëpër shkollat shqiptare të të gjitha niveleve, por kjo kuptohet se ka sjellë në elitën e shkolluar shqiptare një vakum në funksion të idesë. Libri që po i paraqitet lexuesit të kualifikuar shqiptar është një punim që argumenton konceptet dhe çështjet kryesore të filozofisë moderne.
Autori i paravendos këto çështje, ashtu sikurse ato trajtohen në universitetet anglishtfolëse, dhe në 500 faqe na jep një strukturim të të gjithë filozofisë, ashtu siç ajo ka ecur, por e vështruar sipas optikës së filozofisë analitike. Ajo çka krijon rëndësinë parësore të këtij libri është trajtimi për herë të parë në gjuhën shqipe i filozofisë analitike, e cila aktualisht është filozofia dominante në vendet anglosaksone dhe ato nordike. Në funksion të kësaj, autori e trajton të gjithë lëndën e ngjeshur të filozofisë tradicionale, nën gjykimin analitik dhe të detajuar sipas kuptueshmërisë analitike”, shkruan ndër të tjera Ngjela në prezantimin e librit.
Filozofi Scruton ka qenë i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës në vitin 2016 dhe ka marrë nga ky universitet titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e gjerë e të thellë në filozofi, në mendimin politik dhe në përkufizimin e disa prej sfidave më të mëdha të kohëve të sotme, si demokracia, kombi, të drejtat, feja, morali, e mira e përbashkët. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, “UET Press” botoi librin e tij më të famshëm “Si të jesh i djathtë”, përkthyer nga Fitim Zekthi, si një prezantim i parë i këtij filozofi me lexuesin shqiptar. Libri “Nga Aristoteli te Filozofia analitike”, që del në shtyp të premten, është preludi i vendimit që ka marrë Universiteti Europian i Tiranës për të hapur seksionin e Filozofisë analitike brenda Departamentit të Shkencave Humane në UET dhe ky libër do të jetë libër universal i detyruar për të gjithë studentët e UET në vitin e parë, programi bazë, një përpjekje për të futur frymën analitike në krahasim me një traditë të përjetshme, që nga Rilindja Kombëtare, që është tradita humaniste apo racionalizmi kontinental.
Scruton cilësohet një nga filozofët më të mëdhenj gjallë dhe ka mbi 30 vepra të botuara, analiza politike e estetike, kompozitor i dy operave dhe autor i shumë punimeve mbi filozofinë, artin, etikën, moralin. Ai njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht si një prej mbrojtësve më të mëdhenj të mendimit konservator të së djathtës dhe është profesor i Filozofisë në disa prej universiteteve më prestigjioze të botës, përfshirë këtu Oksfordin, Kembrixhin etj.
NGA ROGER SCRUTON
Vizita ime në Shqipëri, si e njoha UET dhe Ngjelën
U befasova vërtet kur Henri Çili, administratori i Universitetit Europian të Tiranës, më dërgoi ftesë për të marrë një doktoratë nderi nga universiteti i tij. Natyrisht, ishte kënaqësi dhe pranova me shumë ngazëllim, edhe pse udhëtimi për Tiranë erdhi në një kohë të sikletshme dhe shumë të angazhuar për mua.
U kënaqa edhe më tepër kur zbulova se ky libër ishte përkthyer në gjuhën shqipe – një gjuhë, më- simin e së cilës nga rrethi im miqësor e ka ndërmarrë vetëm një njeri (Sir Noel Malcolm) dhe e cila i ka mbajtur folësit e saj amtarë mbyllur midis maleve dhe detit, më shumë se cilindo europian tjetër. Stolisur me veshje akademike, dëgjova për nderin tim fjalime, të cilat, aq sa arrita të kuptoj, mund të më kishin shpallur edhe armik të popullit shqiptar. Por buzëqeshja e druajtur dhe shikimet prekëse që vinin në drejtimin tim nga një audiencë mrekullisht e re, më siguruan se isha vërtet mysafir nderi.
Por, sa pyetje të mprehta dhe të ethshme vijuan më pas, teksa të rinjtë mbledhur rreth meje më kërkonin të nënshkruaja kredon time të sapopërkthyer në shqip nga Fitim Zekthi, “Si të jesh konservator”. Ishte privilegj kur u njoha edhe me përkthyesin e këtij libri, me të cilin diskutuam tema me interes të përbashkët, si Kanti, Zoti, bukuria, statusi metafizik i subjektit njerëzor. U preka kur zbulova sa gjëra të përbashkëta kam me ata që kanë jetuar dhe vuajtur këtu. Mësova se babai i z. Spartak kishte qenë i burgosur në vazhdën e spastrimeve të “sabotatorëve” nga Enver Hoxha dhe z. Spartak, i burgosur bashkë me të, – meqë bijve nuk u zihet besë, ashtu si nuk mund t’i zihej besë askujt në atë botë paranoje. Z. Spartak kishte kaluar 15 vjet të jetës së tij në burg, nga mosha 28 në 43 vjeç. Megjithatë, qëndrimi i tij ishte i butë dhe pajtues, a thua se filozofia – ashtu si mua herë pas here, edhe atij i kishte sjellë një puhizë faljeje, që fryn nga sfera e ideve të pastra. Mbase ishte e pashmangshme që Shqipëria, e tradhtuar te Stalini nga spiunët tanë në Londër, të binte në duart e një krimineli aq të pamëshirshëm dhe të pafe si Hoxha. Megjithatë Shqipëria, e cila po merr veten nga dekada shtypjeje të dhunshme, ofron një shembull të papërsëritshëm për pjesën tjetër të Europës.
Ky është një vend ku të krishterë dhe myslimanë kanë jetuar për pjesën më të madhe të kohës në mirëkuptim, duke ndarë dashurinë e tyre për vendin dhe vullnetin për ta mbrojtur atë. Në varrezat e fshatit ata prehen pranë e pranë, me dallimet e tyre fetare të kandisura në simbole të vogla mbi gurët e varreve të tyre. Ky ishte një nga vendet e para në botë, ku identiteti kombëtar zëvendësoi fenë si burim të rendit shoqëror, një fakt i cili me siguri duhet të jetë burim udhëzimi se si t’i mbijetojmë një bote të re tensionesh fetare. Shqipëria ka vështirësitë e saj; por te të rinjtë pikasa shpresën dhe angazhimin që do ta futë këtë vend plotësisht në rrjedhën e jetës europiane, një simbol i “unitetit në diversitet”, që ka qenë tipari i kulturës sonë të përbashkët që nga Iluminizmi.
Jam krenar që këtu librat e mi kanë lexuesit e tyre dhe që botëkuptimi im shumë anglez mirëpritet dhe pranohet me shumë dashuri.
*Parathënie e posaçme për botimin shqip nga Roger Scruton/ Malmesbury, mars 2017.

















