
Letër psikologes/ Po kaloj shumë stres nga rënia e flokëve. Çfarë të bëj?
Dritare.net

Kam një pyetje. Vuaj prej dy vitesh nga rënia e flokëve. Kam bërë analizat për tiroidet, për anemi dhe të gjitha më dalin mirë. Ju lutem me jepni një këshillë se po çmendem dhe po kaloj shumë stres. Kam përdorur vajra të ndryshme, maska dhe vitamina, por nuk me japin asnjë rezultat pozitiv. Ju lutem më ndihmoni! Çfarë duhet të bëj që të paktën gjendja ime emocionale të përmirësohet?
Psikologia përgjigjet
Përshëndetje dhe ju falënderoj për letrën tuaj!
Ju duhet të dini se streset ditore bëhen bashkë. Një zënkë me partnerin, një mbingarkesë në punë, mungesa e gjumit dhe faktorë të tjerë, kontribuojnë në nxitjen e reaksioneve në trupin tonë.
Kur jeni të stresuar, trupi përgjigjet duke lëshuar hormone. Në fakt, stresi ka pasoja të drejtpërdrejta në proceset kimike që ndodhin në trupin tonë, duke shkaktuar pabarazitë hormonale, acarime të lëkurës dhe duke ndikuar në shëndetin e kokës, një aspekt themelor për rritjen e flokëve. Pa një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, flokët dëmtohen dhe mund të bien.
Ndikimi psikologjik i humbjes së flokëve dhe pasojat e tij në vetëbesimin tonë, nuk duhet të nënvlerësohen. Nëse jeni në një kohë veçanërisht stresuese dhe filloni të vini re një rrallim të flokëve tuaj, është e rëndësishme që të veproni për të përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe për të hequr qafe tensionin dhe ankthin.
Lajmi i mirë është se humbja e flokëve të shkaktuar nga stresi është e kthyeshme dhe flokët tuaj normalisht do të rriten përsëri, sapo të shpëtoni nga ky problem. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të ndiqni një mënyrë jetese të shëndetshme:
- Ushqimi i mirë dhe pirja e shumë ujit është mënyra më e mirë për tu siguruar që trupi i ka gjithmonë të gjitha lëndët ushqyese që i duhen për te vepruar në maksimum.
- Aktiviteti i rregullt fizik është një strategji e mirë për të zvogëluar stresin dhe tensionin. Ju uroj gjithë të mirat!/dritare.net
Enertila Bekteshi, Psikologe Klinike, QSUT
Nëse doni të ndani pyetje, këshilla apo dhe rrëfime, ju lutem shkruani në: [email protected]

















