Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Letër ndërtuesit të mallkuar!

Letër ndërtuesit të mallkuar!
Nga Isa Myzyraj 

Aspak i dashur ndërtues,

Sot prokuroria e Durrësit i ka vendosur pikat mbi "i": Tërmeti sipas organit të akuzës, nuk është shkak për 51 viktima, por je ti dhe papërgjegjshmëria jote kur ke ndërtuar ato pallate që u morën jetën 51 njerëzve, të pafajshëm.

Aspak i dashur ndërtues, turp të kesh, e haram çdo qindarkë që more nga ato pallate që ndërtove.

A e di, aspak i dashur ndërtues që ke vrarë fëmijë, nëna, të rinj që kishin gjithë jetën përpara, ke vrarë pleq o i mallkuar, ke lënë fëmijë jetim, e nëna që përjetë do të vajtojnë bijtë e bijat e tyre!

Çfarë mendove kur e hodhe atë dreq betoni, o i mallkuar, a nuk mendove për një sekondë të vetme që në atë pallat do të jetonte një foshnje? A nuk mendove që në atë pallat do të jetonte një 20-vjeçar, plotë ëndrra e i dashuruar pas jetës? Çfarë mendove o i mallkuar kur bëre pazare me jetët e njerëzve?

A u nuk reflektove për një moment të vetëm,në darkë tek familja jote, kur u ulët për të ngrënë ; a nuk shikove për një moment fëmijët e tu në sy, dhe vërejte gjithë atë gëzim e dashuri për jetën që kanë para, e të mendoje për një fëmijë, a të ri që do të hynin në atë gërmadhë vdekje që po ngrije, e nuk do të dilnin kurrë nga aty, sepse ti ua bëre shtratin vendin e fundit që do të shikonin me sy?

Po si ka mundësi që u tregove kaq çnjerëzor, kaq pa ndjenja dhe kaq i pashpirt që ngrite kat pas kati, madje e kishe planifikuar për 10 kat, por the "hajt po shtoj dhe dy, se s'bëhet nami"!

Unë shpëtova o i mallkuar, dhe gjithë jetën do të të mallkoj, por çfarë ke për të thënë për 51 njerëz që vrave?

A do kesh guxim të shikosh fëmijën tënd një ditë në sy? Si mund të jesh sot rehat kur e di që ke ndërprerë jetë njerëzish në mes? Si do të mund të festosh për Vitin e Ri, e të thuash "gëzuar" kur e di që vrarë njerëz krejt të pafajshëm?

Unë uroj më të keqen për ty, jo për djalin a vajzën tënd, jo për bashkëshorten tënde, por vetëm për ty, sepse ti je një vrasës, e i tillë do të mbetesh përjetë, edhe nëse dënohesh e pas 20 vitesh do dalësh përsëri, i njëjti kriminel do të mbetesh, dhe të gjithë të tillë do të kujtojnë përjetë./ Dritare.net