

Unë vetë kam marrë të paktën dhjetë njëra pas tjetrës qëkur fillova të paguhesha aq sa dhjetëmijë lekëshi (aq ishte atëherë pagesa mesatare në ditë për pastrimin e një apartamenti të vogël) të mos më dhimbte shumë në këmbim të ca kohe të lirë. E fati e deshi që të ardhurat të më shtoheshin, bashkë me punën e me apartamentin.
Këto kohë nuk kam dikë të më ndihmojë e nevojë kam shumë, por më ka zënë frika të provoj. E fundit që kisha ishte një vajzë e re që kishte nevojë për punë. Më ndodhte shpesh të isha në shtëpi duke bërë punë të tjera kur ajo vinte për të pastruar. Unë nuk jam nga ky brezi që ka lindur me punëtore shtëpie. Shkolla që unë kam bërë na mësonte t’i shihnim me neveri këto praktika bejsh e agallarësh e kështu, dua apo s’dua, ndihem pak në siklet që kur prezantohem me gra të interesuara për të punuar nëpër shtëpia. Më duket sikur më shohin edhe ato me të njëjtën neveri, si bejleresha që ka ca lekë më shumë e shet mend duke punësuar dikë.
E pasi kalon ky ngërçi që më duket se ekziston vetëm në kokën time, fillon problemi i vërtetë. Vij nga puna, shoh e lehtësuar që dikush ka vënë dorë në shtëpi, nuk është rrëmuja që kisha lënë në mëngjes. Pastaj, sa më afër u afrohem gjërave, aq më shumë fillojnë e më ngrihen nervat. Pastaj prapë them me vete “Epo tani, ç’pres edhe unë. Njeri është edhe ajo e shkreta. Lodhu në shtëpinë e vet e lodhu në timen, s’mund t’i bëjë edhe aq mirë.” Veçse jo gjithmonë më ndodh të flas edhe kaq shumë me vete. Ndonjëherë ia pres (vetes) shkurt e ashtu sikurse shpenzojmë orë të tëra në punën time duke përcaktuar me saktësi të gjitha detyrat që pritet të bëjmë për atë pagë që marrim, filloj të lodh trurin që t’ia shpjegoj po me aq saktësi edhe gruas së radhës se çfarë pres të më bëjë dhe si, çfarë quhet punë e bërë dhe çfarë jo. Madje, ndonjëherë jam ulur e kam filluar edhe t’i shkruaj, por kur jam përballur herën tjetër me të, më ka ardhur zor, më është dukur vetja tamam ‘bejlereshë’ nga ato të librave të historisë së tetëvjeçares. Eh, pikë e zezë! Si zgjidhet kjo punë?
Shpesh, në punën time, kur gjërat nuk shkojnë si duhet, pyetjet që bën ai/ajo që është më lart, janë më shumë pyetje për të kuptuar psenë. Po si e sheh ti e si e shoh unë? Si mund të bëhet që ta shohim njësoj? Nuk e di tek të tjerët, por tek unë kjo qasje ka efekt të madh. Mirë apo keq, kam provuar të njëjtën gjë me disa nga këto gratë. Po mirë moj Kozeta, Adelina, Esmeralda (emrat janë sigurisht sa për ilustrim)! Po a të duket i pastër ky tapet? Ju me siguri e merrni me mend se jo me të gjitha mund të bëhet kjo bisedë. Me disa as nuk e nis fare, se nuk janë mësuar t’i pyesësh ç’mendojnë për këtë apo atë gjë. Nuk e kam marrë guximin të jem ajo që do t’i bëjë të mendojnë se ato edhe mund të mendojnë. Ky është njëri ekstrem, por është edhe ai tjetri që ti e di sedo të ta presë me shikimin që të thotë “Uh,u bë kjo! Po unë jam mamaja jote moj. Kur kam pastruar unë, ti s’kishe lindur”.
Dhe kanë të drejtë, s’do kisha ç’tu thosha, aq më tepër në këtë vend ku mosha rëndom përdoret si argument çarmatosës edhe kur i thua dikujt se s’di. “Po unë kam 30 vjet që e bëj këtë punë”, - të thotë dhe as që nuk i shkon ndër mend se gjithë ato vjet mund t’ia ketë futur kot. Po kur s’do, s’do. Edhe e vetmja me të cilën u ndjeva shumë rehat që e kapa bisedën me këtë qasjen demokratike, me po aq demokraci ma ktheu se unë isha thjesht shumë e fiksuar me këtë punën e pastërtisë. Pyetja ime në këtë rast ishte nëse i dukej normale që me leckën që lante dyshemetë e shtëpisë (përfshirë edhe ballkonin me gjithë pluhurin e ndërtimeve që bëhen gjithandej) të lante edhe tapetin (po, po, tapetin). Dhe s’kishte faj. Kushedi sa herë kam thënë me vete se s’duhet të hap debate kur s’jam e përgatitur dhe ja ku e hapa dhe e humba që në fillim. Akoma nuk e di se si mund t’ia shpjegoja qartë dhe bindshëm që lecka me të cilën lan gjithë shtëpinë nuk e bën tapetin më të pastër, përkundrazi.
Nuk e di! Pastruese e mirë, je apo bëhesh? Nëse je, ku je, si të të gjej? Nëse bëhesh, kush bën të tilla? Kush i trajnon? Askush deri tani s’më ka dhënë dot përgjigje./Dritare.net

















