

Titulli i ekspozitës është i thjeshtë, “KosovArt”, dhe prezanton artin e ri të Kosovës. Janë tema e mediume të ndryshme të shprehjes artistike që bëhen bashkë në këtë ekspozitë, e cila do të hapet në njërën prej galerive më të njohura në qendër të Vjenës, “Galerie Lukas Fetchtner”.
Veprat e 13 artistëve do të shtrihen në hapësirën prej 400 metrash katrorë sipas konceptit të Penesta Dikës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në ekspozitën e cila do të hapet të enjten e kësaj jave, artistët do të prezantohen me piktura, skulptura, vizatime, posterë, fotografi e video artistike. Pikturat e Ardiana Shasivari-Kikës, Mirlinda Rexhepit dhe Kushtrim Sylejmanit, skulpturat e Luan Bajraktarit, Kushtrim Zeqirit dhe Driton Sylejmanit, fotografitë e posterët e Din Azizit, Astrit Ismailit, Agon Nimanit krijojnë mozaikun e “KosovArt”. Alketa Xhafa-Mripa bashkë me flautisten Erëmira Çitaku do të prezantohen edhe me video instalacion.
“Tematikisht, ndër të tjera, artistët paraqesin tema të tabuizuara, si për shembull artistja Alketa Xhafa-Mripa prezanton një nënë me fëmijën e saj në aktin e gjidhënies në mes të një hapësire që duket si një punëtori ‘mashkullore’ (‘Mum, Am I A Barbarian?’, 2013), ose artisti Astrit Ismaili me veprën e tij ‘Keep it beautiful’ (2015) që është një bashkëpunim me disenjatoren Rudina Xhaferi dhe fotografin Jetmir Idrizi, bën një aluzion rreth seksualitetit, hapësirës dhe estetikës”, ka shkruar Dika në konceptin e ekspozitës, i bazuar në qëndrimin trevjeçar në Prishtinë, ku ajo la ligjëruar në universitete dhe ishte njëkohësisht anëtare e Bordit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Me veprat e tij Shpend Havolli në këtë ekspozitë do të sjellë emocionalitet dhe sentimentalitet. Dika ka shkruar se edhe veprat me aspekt feminist do të jenë prezent në hapësirat ekspozuese përderisa nuk do të mungojnë as veprat artistike me tema specifike, që në veçanti e reflektojnë shoqërinë kosovare. Si shembull ka marrë veprën e artistit Din Azizi.
“Ai e përdor flamurin kosovar për të prezantuar përmes tij një̈ hotel me gjashtë yje (‘Kosova – hotel luksoz’, 2015). Më tutje, Din Azizi paraqet të hollat kosovare në letër dhe monedha, të cilat ai i quan ‘Re’. Kjo fjalë lë të kuptohet edhe si retë në qiell, por edhe si diçka e re”, ka thënë Dika. Këto të holla të dizajnuara vetë, sipas saj, paraqesin persona dhe monumente historike kombëtare, të cilët janë të rëndësishëm për Kosovën. Tek ka marrë shembull “Një botë tjetër” të Mirilinda Rexhepit, Dika ka thënë se artistët do të prezantojnë edhe vepra që projektojnë dëshirat e tyre për një botë më të mirë.
“Këto forma duken sikur të qepen njëra me tjetrën dhe mu përmes kësaj simbolizohet qepja e dashurisë dhe e ndjenjave tjera të bukura me njëra-tjetrën. Edhe artisti Agon Nimani me veprën e tij ‘Deponia e hirit - termocentrali ‘Kosova B’’ (2015) shpreh një dëshirë për një botë më të mirë duke e shndërruar rrezikun që i kanoset shëndetit të kosovarëve nga kjo deponi në një kompozicion estetik”, ka thënë Dika.
Kushtrim Zeqiri, sipas saj, me veprën e tij “Protestë“ paraqet me qindra minj që protestojnë për një botë më të mirë për kafshët. Vepra “përkthehet” si thirrje kundër “çdo eksperimenti laboratorik me kafshë”. Zeqiri, siç shkruan kuratorja, i përkushtohet edhe një bote më të mirë në harmoni me natyrën. “Në veprën e tij ‘Of yours’ (2015) inskenon një interface të kompjuterit në natyrë të varur jashtë në një shkop të gjatë prej druri”, ka shkruar Dika.
“KosovArt” sjell edhe më shumë se kaq. E për t’i parë veprat e për t’u njohur me artin e ri të Kosovës, artdashësit kanë mundësi deri në ditën e parë të marsit, sa do të qëndrojë e hapur ekspozita./Koha.net/

















