Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Konflikti mes pronarëve "Rexhina" dhe "Delta", policia: Ja çfarë ndodhi!

Një përplasje mes dy biznesmenëve, Vasil Bedinaj dhe Luan Muça, ka ndodhur paraditen e sotme në një prej hoteleve të Bedinajt në Vlorë. Policia ka shoqëruar pronarin e “Deltës”, Luan Muça, ndërsa disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, rreth orës 11:30, pronari i resortit ka njoftuar uniformat blu se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë dhe kanë ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme. Në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe makina është aksidentuar. Brenda saj ndodheshin tre persona. Dy prej tyre kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka pasur probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë. Një prej personave është shoqëruar në komisariat, ndërsa dy të tjerët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë./K.C./dritare.net