Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kohë për lexim/ Poezia vs dashuria

Kohë për lexim/ Poezia vs dashuria
Nga Arta MARKU QËNDRO

Nudo je e thjeshtë si një dorë e jotja,

E lëmuar, tokësore, e vogël, e rrumbullakët, e tejpashme.

Ke përvijimet e hënës, lakimet e mollës.

Nudo je hollake si kokrra e grurit të zhveshur

Nudo je e kaltër si nata në Kubë… (Nudo–Pablo Neruda)

Një berretë në kokë dhe një llullë në cep të buzës. Është imazhi i ngulitur tek unë i Pablo Nerudës. Veç të tjerash edhe për shkak të filmit “Postieri”.

Më del para sysh silueta e ndrojtur e Marios që, duke iu marrë fryma, ca nga e përpjeta ca nga emocionet, hipur mbi biçikletën e tij të vjetër, vejevinte çdo ditë te shtëpia e Nerudës majë kodrës, në ishullin e jugut italian, për t’i dorëzuar postën. Ishte i papunë, i varfër, biri i një peshkatari të përulur, por plot me poezi në shpirt. Kushedi ç’e bënte të besonte te poezia. Te fuqia e saj për t’ia nxjerrë jashtë dashurinë që ndiente për Beatriçen e bukur, e për t’ia ngulur asaj si shigjetë të cilës e pamundur t’i shmangej. Ku ta dish pse, thellë brenda vetes ishte i bindur se poezisë nuk i bëhet dot ballë. Dhe ndodhi ashtu në të vërtetë. Buzë bregut të kaltër i lexoi Beatriçes poezinë e Nerudës dhe ajo nuk doli dot më prej çarkut në të cilin ra menjëherë teksa përfytyronte veten e saj nudo, të vogël sa thoi i një gishti, të kurbët, të brishtë, të trëndafiltë.(Nudo–Pablo Neruda)  Ashtu siç ishte në të vërtetë, por askush s’ia kish thënë më parë.

Dhe ja tek është Neruda duke shëtitur në të njëjtin buzëdet, me berretën në kokë dhe llullën në cep të buzës dhe fjalët që e ndjekin pas, si xixëllonja të padukshme, metaforat.

E kam të qartë, nuk është imazhi që e bën poetin. As berreta, as llulla, as shkujdesja e burrit me këmishë të gjerë e mëngëpërveshur që shëtit vetëm, në plazh. E kundërta edhe mund të jetë e vërtetë. Poeti e bën imazhin. E në të njëjtën logjikë, ma do mendja, nuk është dashnori që e bën poetin. Kurse e kundërta, me gjasë, është e vërtetë. Sidoqoftë Pablo Neruda ishte dashnor i madh. Poezia e tij, e madhe gjithashtu, e përjetësoi edhe si dashnor.

Poezia që ka në zanafillë dashurinë, mund të jetë për vete zanafillë dashurie. Ndaj dhe vargjet e poezisë Nudo e magjepsën Beatriçen e filmit “Postieri”. Sa Beatriçe të tjera duhet të kenë magjepsur vargjet e librit “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi” që e shfaqi Nerudën 20-vjeçar mbi një kopertinë libri? E kotë ta themi që lexuesi i përpiu (nëse s’ka asgjë të çuditshme në këtë të vërtetë, kjo mund të thuhet vetëm nga këndvështrimi i sotëm, por jo ai i gati 100 vjetëve të shkuara. Asokohe ishte padyshim një e vërtetë e çuditshme qoftë edhe për moshën e poetit). Sot, libri ende konsiderohet bestseller i poezisë që ka shitur mbi 10 milionë kopje. Ishte poeti padyshim, ama ishte edhe dashuria. Sepse në krye të herës qenë muzat, shoqërueset e përhershme të poetit endjeve dashurore, që e çuan te poezia, që ia nxitën poezinë... Vajzat e bukura të përfaqësuara nga Marisoli e Marisombra.

***

Ishte një vajzë, muza që e nxiti Besnik Mustafajn të nxirrte prej brenda vetes poetin. Një histori dashurie pra. Poeti ishte, thjesht gjimnazisti nuk e dinte. Ndoshta poeti do të ish shfaqur një ditë gjithsesi, se gjërat e fuqishme sado gjatë të flenë, zgjohen dikur. Por hipotezat mbeten të tilla. Kur ne kthejmë kokën pas dhe shohim rrugën që kemi përshkuar, vëmë re një vijë të vetme, pa dyzime, të qartë. Nuk ka vend për hamendësime gjërash që mund të kishin ndodhur ndryshe. Apo jo? Edhe te Besnik Mustafaj, poetin brenda tij e zbuloi një vajzë. Pikë! Beatriçja e tij do t’i jepte djaloshit kënaqësinë të konstatonte njëkohshëm praninë e poetit dhe të burrit që formoheshin mbështjellë nga epiderma që kërkonte të zgjerohej. Që të dyja vinin tek ai si tipare të rëndësishme që do t’i merrte, pa dyshimin më të vogël, seriozisht në konsideratë.

Nga vargjet e para kushtuar vajzës, që mesa duket i kishte zënë rrugën me  “misionin”, e përcaktuar nga kushedi se kush a kushedi se çfarë, për t’i zbuluar poetin, e deri te libri i parë me poezi, “Motive të gëzuara”, do të kalonin vite. Libërthi nuk përmbante mirëfilli poezi dashurie, e për më tepër asnjëra syresh nuk ishte këngë dëshpërimi. I pamendueshëm veçanërisht dëshpërimi. Jemi në Shqipërinë e viteve ’70, dëshpërimi nuk ekziston, e as ndonjë hije gri melankolie djaloshare për burrin që po fillonte të merrte formë mu në zemër të “parajsës tokësore”. Pra, “Motivet e gëzuara” të Besnik Mustafajt nuk kishin të bënin mirëfilli me rrëfimin e djaloshit të dashuruar, as me zbulimin e tipareve të vajzës që po i tregonte çfarë ishin emocionet e dashurisë. Asnjë Marisole, asnjë Marisombra, as berretë gri gjimnazisteje, asgjë identifikuese qoftë edhe e maskuar. Për më tepër deri sa mbërritën motivet e gëzuara, vajza që joshi gjimnazistin, e kishte humbur konkretësinë e ishte kthyer në një kujtim të mjegullt, duke lënë sidoqoftë pas shenjën e pashlyeshme të zbulimit më të rëndësishëm në jetën e Besnik Mustafajt: poezinë.

Sot

U gdhiva

Me

Një

Shije

Luleshtrydhesh

Buzë (SotHarrimi i dashurisëB.Musfataj)

...Kështu shkruan Besnik Mustafaj rreth 40 vjet pas motiveve të gëzuara. Sot, poezia, shtyllë kurrizore që e mban krijuesin në këmbë, është krejt tjetër nga ajo e 40 vjetëve të shkuara. Herë-herë mund të ndodhë që motivet të jenë të gëzuara. Më shpesh, motivet vetëm të gëzuara nuk janë. Por nuk ka klishe në raste të tilla. Përtej kësaj hollësie, ndryshimet në poezi janë shumë të mëdha. Të mëdha sa dhe hapësira kohore mes poezisë me aromë luleshtrydhesh dhe atyre me motive të gëzuara... Në midis, përvoja të jashtëzakonshme për shkrimtarin, por dhe burrin, të paimagjinueshme në kuptimin e mundësisë për t’i parashikuar para se të ndodhin... përplot me të vërteta të “çuditshme”.

E pyes B.Mustafajn:

Në kohën e ikjes nga vendlindja, fillon poezia. Por pa qëllimin për t’u bërë poet. Çfarë po ndodhte ndërkaq me piktorin? (se, si piktor e kishte menduar të ardhmen e vet) Apo ishte një braktisje pa pengje e pa kthim? Si po fillonte të projektohej e ardhmja e poetit?

...dhe poeti më përgjigjet:

Po, poezia fillon diku nga fundi i vitit të dytë të shkollës së mesme. Filloi si për të gjithë adoleshentët, me një vjershë për t’i pëlqyer një vajze. Piktori kishte mbetur vërtet prapa, në të kaluarën, në qerthullin e mbyllur përgjithmonë të fëmijërisë. Ai i kishte dhënë, sidoqoftë, një trashëgimi shumë të çmuar, të patjetërsueshme adoleshentit që isha bërë ndërkohë: dashurinë për pikturën. Por, si amator, tashmë, dashuri që vazhdoj ta kem edhe sot e kësaj dite shumë të fortë. Qëndrimi përpara një pikture të mirë më jep një kënaqësi të ngjashme me atë që më jep një prozë apo një poezi e mirë. Nuk besoj se ka në botë ndonjë muze të rëndësishëm pikture që nuk e kam vizituar. Madje, shpesh, më shumë se një herë.

Pas vjershës së parë, e cila ia arriti qëllimit, shkrova pa vonesë të dytën e të tretën. Duke parë se ky burim i çelur papritur vazhdonte, bleva shpejt një fletore të trashë, e cila nuk do të përdorej për asgjë tjetër. Për më tepër që, në atë fillim, poezinë e mendoja vetëm si pjesë të intimitetit tim. Ajo vajza doli shpejt nga jeta ime, siç ishte e natyrshme për moshën, por më la pasionin për poezinë. Nuk është dhuratë e vogël kjo nga një dashuri e adoleshencës, apo jo?

Marrë nga libri

LETRAT E MIA KREDENCIALE

Besnik Mustafaj

në një rrëfim me Arta Markun

263 fq

1000 lekë

Botimet Toena/dritare.net