

Mbi 100 afishe filmash artistikë me metrazh të gjatë, filmash vizatimorë e dokumentarë në një rrjedhë kronologjike janë prezantuar në ekspozitën “Arti dhe Dizajni i Filmit Shqiptar – Vepra të Përzgjedhura nga Vitet e Kinostudios”, çelur ditën e djeshme në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve. Janë të gjitha vepra të punuara me dorë nga piktorët shqiptarë, të cilët kanë punuar në ish-Kinostudio. Ekspozita e kuruar nga kineasti shqiptaro-amerikan Thomas Logoreci vjen si një bashkëpunim GKA dhe AQSHF.
Për disa muaj kuratori Logoreci kërkoi në fondin e AQSHF duke nxjerrë në dritë këto postera të harruar. Një pjesë e tyre vijnë edhe nga arkivi i Universitetit të Arteve.
Në konferencën për shtyp drejtori i GKA, Artan Shabani tha se këta postera janë një dëshmi e artit të mirëfilltë, por shpesh të lënë në harresë të filmit shqiptar.
“Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë të prezantojë këtë ekspozitë unike në llojin e vet. Është një ekspozitë që ka një sens kronologjik, e cila mund të prezantohet fare mirë edhe përtej Shqipërisë pasi është unike, në format, në gjuhën dhe historikun që mbart.
Kemi një grup të madh piktorësh profesionistë, të cilët i kanë dedikuar jetën e tyre, pasionin e tyre dhe i kanë lënë një shenjë të fortë pikturës brenda artit të kinematografisë, brenda roleve, personazheve, skenografive. Këto janë vepra të mirëfillta, të cilat meritojnë të jenë edhe pjesë e një linje muzeale, por gjithashtu përfitoj nga rasti të theksoj që ka ardhur koha të konceptohet dhe realizohet një muze dedikuar historisë së kinematografisë shqiptare”, tha Shabani.
Drejtoresha e ASHF–së , Elvira Diamanti, nënvizoi se këta postera janë një pasuri më vete midis të gjithë elementeve të industrisë së kinematografisë shqiptare:
“Ne, si arkiv i filmit falënderojmë Galerinë Kombëtare që mirëpriti idenë tonë për t’i ofruar publikut çdo element të lidhur me kinematografinë që ndodhet në arkiv. Një nga pasuritë e arkivit janë edhe posterat dhe unë mendoj se ky ishte momenti më i mirë për ta prezantuar këtë pasuri nëpërmjet kësaj ekspozite, pra për t’i dhënë vlerën e vërtetë këtyre posterave, që në fakt janë vepra arti. Publiku duhet të kuptojë që këta postera janë shumë të dashur jo vetëm për ne, për kohën në të cilën kemi jetuar, por ato ende sot mbeten vepra të kuruara. Ato na bëjnë të kuptojmë se në atë kohë afishja ishte e vetmja mënyrë për të komunikuar me publikun dhe që shërbenin si një gong për filmin që pritej të vinte”, tha ndër të tjera Diamanti.
Vetë kuratori Thomas Logoreci u shpreh i lumtur që më në fund arti i këtyre artistëve u prezantua aty ku vërtet i takon
“E vlerësoj shumë këtë raport midis institucioneve të artit si AQSHF dhe GKA sepse kjo është shumë e rëndësishme për historinë e filmit në Shqipëri. Gjithashtu për mua është shumë e rëndësishme që puna e këtyre artistëve të mrekullueshëm, e cila i përket galerisë, të vinte pikërisht në galeri.
Arkivi ka qindra postera të mrekullueshëm, por për mua ishte ideja të përzgjidhja ato afishe të dizenjuara me dorë dhe do të kisha shumë dëshirë që kjo ekspozitë të tregonte këtë standard dhe këtë lloj arti edhe në muze, apo qendra arti jashtë vendit, për të dëshmuar diçka më shumë mbi kinemanë shqiptare, e cila deri tani është injoruar. Kjo ka qenë edhe ideja ime e parë që më çoi drejt kësaj ekspozite”, tha Logoreci
Në konferencën për shtyp ishin të pranishëm edhe dy nga autorët e këtyre afisheve, Aziz Karalliu dhe Arben Basha. “Jam shumë i kënaqur me këtë ekspozitë dhe do të dëshiroja që të gjitha këta postera të mblidheshin në një katalog, në një botim, pasi do të ishte vërtet me shumë vlerë. Kjo ekspozitë na gëzon shumë, por edhe na trishton për ata artistë që nuk janë më”, u shpreh piktori Aziz Karalliu
“Është një këndvështrim shumë interesant i kuratorit edhe për faktin që ka zgjedhur të ekspozojë të gjithë posterat që janë bërë me dorë dhe gjithashtu e mbështes idenë e krijimit të një muzeu kushtuar kinematografisë shqiptare”, theksoi piktori Arben Basha.
Piktorët, të cilëve u besohej një film, punonin me shumë përkushtim që të bënin atë që quhet, sot shitja e filmit përmes reklamës. Por ndryshe nga sot, kur mjaftohet me fotografimin e një sekuence filmi, atëherë piktori punonte mbi skenarin, ndiqte këmba-këmbës regjisorin në shesh xhirimi për të kuptuar atë çka ai donte të realizonte.

















