Jo vetëm në Tiranë! 50-vjeçari Robert Duka pjesë e grupit të strukturuar kriminal në Greqi!
Dritare.net

Më 2 qershor të kësaj vere, Robert Duka grabiti një armë të nivelit të dytë në Tiranë te kryqëzimi i Komunës së Parisit, duke marrë rreth 15 mijë euro. Fiks 5 muaj më pas, më 2 nëntor, ende pa rënë në sytë e policisë, ai kryen grabitjen e dytë në një tjetër bankë, sërish në zonën e Komunës së Parisit.
Blutë e quajtën operacionin “Gjuetari i Bankave” dhe arritën të zbulojnë nga hetimet e kryera, se pas të dyja rasteve, fshihej i njëjti person, i cili këtë fundjavë, u arrestua.
“Pavarësisht angazhimit intensiv të strukturave të Policisë gjatë protestave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje. Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve”, tha Oliger Torba, drejtues i Policisë së Tiranës.
Robert Duka alias Albert Duka i ka kryer të dyja grabitjet, nën kërcënimin e armës së zjarrit. Te rasti më i fundit, më 2 nëntor, blutë publikuan pamje teksa ai vjen me monopatinë, hap derën e bankës i veshur me të zeza, me kokore motori në kokë dhe me armën në dorë. Kërcënon punonjësin e sigurisë dhe më tej del nga banka me rreth 60 mijë euro në valuta të ndryshme, duke u arratisur sërish me monopatinë.
50-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua nga policia pranë rrugës së Kosovarëve në Tiranë.
Robert Duka jetonte në Vlorë. Në Tiranë kishte marrë një shtëpi me qira, ku edhe fshihej. Pas arrestimit, blutë i sekuestruan rrobat e përdorura gjatë grabitjes, 2 celularë, dhe 8 200 euro.
Robert Duka ka qenë nën akuzë në Greqi si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i dyshuar për grabitjen e 28 bankave në vendin fqinj. Ai prej ditësh mbahej nën vëzhgim nga agjentët e policisë, pasi dyshohej se po përgatitej të largohej sërish drejt Greqisë. Bashkëshortja e tij punon në një tjetër bankë të nivelit të dytë.