Duhet të kalojë akoma kohë për të kuptuar shqiptarët rëndësinë e jo-së së Makron.
Ishte një Jo, e cila shkon përtej prorokollit të thjeshtë të një akti formal siç është hapja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, që në rastin më të mirë do të kërkojë dhjetë vjet të tjera.
Shtyrja e bisedimeve për Shqipërinë është më i vogli dëm.
Të tjerat janë të pashikueshme në sy të parë.
Koha kur erdhi ky mohim, është më i keqi dhe ndodh pikërisht në kohën kur Anxhela Merkel është në mbyllje të mandatit të saj të katërt dhe të fundit.
Merkel ia doli që për të marrë dritën jeshile për Shqipërinë të bindë politikën gjermane, e cila për aparencë vendosi 9 kushte të cilat gjithsesi nuk pengonin hapjen formale të diskutimeve.
Për të arritur këtë shpenzoi shumë energji.
Gjithashtu ajo ia doli të bënte të heshtnin pretendime periferike ndaj Shqipërisë siç qenë ato greke apo bullgare.
Sa për rezervat holandeze dhe daneze, asnjë prej këtyre dy shteteve, të cilat janë në orbitën gjermane, nuk do të nxirrnin pengesa në rast të një Po-je franceze. Të dyja po prisnin nga do të shkonte rryma për të parë një konjukturë e cila mund t’ju shërbente në lojën diplomatike.
Por refuzimi francez, shkatërroi gjithë punën e Merkel.
Pas kësaj, kancelarja gjermane nuk ka më as kohë dhe as autoritet e madje as forca që të rigrupojë edhe një herë puzzle evropian. Ajo është në vitin e parafundit të një presidence të gjatë, ku çdo ditë e më shumë i duhet të përqëndrohet te detyrat e brendshme.
Për fat politika e jashtme gjermane nuk është vetëm çështje emrash, dhe ky është një lajm i mirë për ne. Por po aq e vërtetë është se pasardhëses së Merkel do t’i duhet kohë të krijojë profilin e saj dhe të ketë peshën e një kancelareje 16 vjet në detyrë.
Por lajmi i mirë është se tashmë Shqipëria është në projektet gjermane dhe vija e tyre e ka kapërcyer kufirin kroat, duke u përpjekur të fusë nën ombrellën e saj edhe vende që dikur ishin historikisht nën influencën italiane.
Njëkohësisht shikohet se pavarësisht manierave të sofistikuara, Berlini nuk ka ndërmend t’i lëshojë territor Moskës.
Lajmi i keq yni është se përveç komplikimit të anëtarësimit, Franca e ka kthyer politikën e saj në shinat e vjetra. Filosllavizmi i saj është i lexueshëm që nga vizita dhe fjalimi i Makron në gjuhën serbe gjatë vizitës së tij në Beograd, por edhe në hapat diplomatikë që ka marrë.
Një nga këto ishte minishengeni që u firmos me mendjelehtësi nga pala shqiptare në Novi Sad.
Pas ngjarjeve të vitit 2019, shqiptarët duhet të kenë të qartë që politika franceze nuk është ajo e dy dekadave të fundit ku presioni amerikan e kishte detyruar të mblidhte kthetrat. Ulja e presionit të SHBA në rajon, dhe forcimi i Rusisë, e kanë nxitur edhe Parisin të bëjë lojën e tij.
Neve na del për detyrë që të rishikojmë edhe një herë politikat dhe prioritetet.
Për momentin është e rendësishme që mos të çedojmë në Kosovë dhe në territore. Në politikën e jashtme ka një kohë që duhet vepruar ashtu sikurse ka një kohë që duhet duruar dhe pritur. Ky është momenti i durimit. Do vijë momenti kur kancelarja e re gjermane do marrë plotësisht frenat në dorë dhe presidenti amerikan mos të jetë nën presionin e zgjedhjeve të reja./dritare.net