
Je mjeke? Ik dhe mos e kthe më kokën pas!
Dritare.net

Ik e mos e kthe më kokën prapa, i tha pronarja e lokalit ku po pinim kafe, një shoqes sime mjeke, e cila niset sot për Gjermani. I shoqi, një profesionist që ka mbuluar projekte shumë të rëndësishme në vend, ka muaj që ka filluar të punojë për një kompani gjermane në Mynih. Brenda dy-tri javëve, edhe fëmijët do të duhet t’i regjistrojnë në shkollë dhe në kopsht afër shtëpisë atje, se më pas edhe e ëma do të duhet të fillojë punë në një spital në periferi të Mynihut.
“Nuk është se nuk kemi ç’humbasim këtu”, - më tha mjekja. “Unë e kam një punë të mirë këtu. Edhe im shoq gjithashtu, por këtu gjithçka po rrënohet. Shih Parlamentin, asgjë më shumë. Nuk kam shpresë, ka humbur shpresa.”
“Jo, shpresa nuk ka humbur, - nuk i dilte e keqja pronares së lokalit – se po të kish humbur, edhe mund ta gjenim. Atë na e kanë vrarë.” Ajo, pronarja, është një mesogrua, e cila që prej pesëmbëdhjetë vitesh që e njoh, së bashku me burrin dhe fëmijët rropaten në punë. Zgjohet që me natë, punon gjithë ditën deri vonë, nuk pushon asnjë ditë të javës dhe ende nuk e ka një shtëpi të vetën. E mes këtyre bisedave, emigrantja doktoreshë e rrufiti kafenë për herë të fundit dhe u nis./dritare.net

















