Ja kur Serbia do ta njohë Kosovën!

Nga Lis Bukuroca

Serbia nuk do të njohë pavarësinë pa marrë një pjesë të veriut. Ta detyrojë, nuk mundet askush. Tani me Rusinë pas shpine, ndjehet më e fuqishme se në kohën e Millosheviqit! Çfarë mund të ndodhë pas takimit në Berlin në rast të dështimit? Asgjë! Mbetet ashtu si edhe është. Veriu jashtë kontrollit, Kosova dhe Serbia me një konflikt të ngrirë pa mundësi integrimi në BE.

Në rastin më të keq, mund të futet në Veri ushtria serbe dhe ruse. Natyrisht nëse tashmë pos spiunëve, nuk janë futur edhe ushtarë civilë. Si u fut ushtria ruse në Krime apo edhe në Siri. Çfarë do të pasonte? Nuk do të niset Lufta e Tretë, por humbet Veriu.  Serbisë dhe Rusisë i vihen sanksione! Se mund të ndodhë një skenar i tillë, e dëshmojnë kërcënimet e qeveritarëve serb, por kryesisht guximi për t’u kërcënuar, urrejtja dhe përbuzja e hapur ndaj ndaj shqiptarëve. Kjo domethënë se ata nuk bëjnë asnjë dallim nga Millosheviqi, por duan të fitojnë diçka nga ajo që ka humbur ai.

Pse mund të ndodhë diçka e tillë? Serbia ka kuptuar pushtetin e vet, ndikim që ka jashtë, që shihet edhe me pengimin e pranimit të pavarësisë dhe duke pranuar bisedimet pa u kthyer së paku mbetjet  e mijëra të varrosur nëpër Serbi, ndihmuam rehabilitimin e saj, por edhe shpërfilljen e krimeve dhe masakrave. Sot ato as nuk përmenden, ose vetëm rrallë dhe vetëm nga shtete, që mund të quhen mike. Gjersa në Kosovë luftohej barbarisht për karrierë, ata luftonin për interesa nacionale dhe sot jemi aty ku jemi. Qeveria në një drejtim, Kryetari në tjetrin, opozita në një tjetër.

Rrethanat politike po ndryshojnë dhe ekstremizmi i djathtë është në rritje. Tani  shfaqet si fashizëm light, përndryshe mund të ndalohen si parti, por me marrjen e pushtetit, do të shpalosin qëllimet e tyre të vërteta. Ardhjen e tyre në pushtet, do ta  paguajnë popujt e vet, siç e paguan gjermanët, italianët, pjesërisht edhe serbet! Në partitë e tyre, nuk ka dijetarë të mëdhenj, por kryesisht populistë të mëdhenj!

E djathta ekstreme tani për tani ka dy armiq: refugjatët dhe islamin. Pasi të kenë mënjanuar frikën prej tyre, do t’i kthehet popullit të vet dhe njerëzve që mendojnë ndryshe, ose që duken ndryshe. Kjo ecuri është në natyrën e ekstremizmit dhe në psikologjinë e  nacionalizimit.

Barrikadimi nuk i konvenon as Kosovës, as Serbisë. Humbja ekonomike do të jetë e ndërsjellë dhe kjo mund të rrezikojë gjithashtu paqen në Ballkan. Meqenëse integrimi i Veriut nuk mund të bëhet me masa administrative, atëherë pajtimi i Serbisë, me nxënësit e Millosheviqit, nuk do të arrihet kurrë. Edhe Goebbels do të kishte vazhduar politikën e fyrerit! Edhe ata vazhdojnë me politikën që njohin më së miri, nacionalizmin, me shpresë se ekstremizmi fiton në Europë dhe krijojnë atë çfarë nuk mundi Millosheviqi, Serbinë e Madhe. Mohimi i krimeve në Kosovë, tregon qartë synimet e tyre.

LEXO DHE :  Konflikt me armë në Bulqizë, një i plagosur

Shikuar sipërfaqësisht, duket se lëvizja e kufirit, mund të paqësonte dy popujt. Në afat të shkurtër kohor mund edhe të jetë ashtu, por pas disa viteve, do të dihet se ku nisi ndryshimi i kufijve, por nuk do të dihet se ku do të përfundojë. Meqenëse Trump Unionin Europian e përjeton si konkurrente, atëherë duke përkrahur zhvendosjen e sovraniteteve, do të programonte edhe shpërbërjen e Europës. Kjo do t’ ishte dhurata më e madhe, që mund t’i bëhej Putinit.

Si duhet vepruar? Ai që do të gjente një zgjidhje dhe pajtimin e dy popujve pa ndryshim të kufijve, do të meritonte Çmimin Nobel.  Ai që do të garantonte se ndryshimi i kufijve do të lokalizohej dhe nuk do të ndodhte në vendet tjera, edhe ai meriton Çmimin Nobel. Por, një mundësi ekziston: nëse garantojnë superfuqitë se nuk do të lejojnë ndryshime tjera, atëherë kjo do t’u konvenonte të dyja vendeve. Ata që janë të bindur se pajtimi mund të arrihet duke detyruar Serbinë, duhet të tregojnë mënyrën se si mund të përjashtohet Rusia nga kjo lojë. Ajo aty hakmerret edhe për sanksionet, edhe për Krimen.

Ata idealistë duhet të kuptojnë se kemi një elitë, që nuk respektohet në botë dhe me të cilën sot nuk mund të mburremi: as për aftësitë e tyre, as për integritetin! Nuk mund më shumë të dëmtojë Serbia, sa mund ta bëjnë ftesat për gjykatën e Hagës. Janë humbur shumë mundësi, janë dëbuar shumë njerëz të aftë nga politika dhe sot jemi  edhe viktima, edhe të shpërfillur. Në këtë gjendje në Kosovë argëtohen dhe pasurohen! Arsyetohen dhe shahen në mes vete. Punësojnë më të afërmit dhe përjashtojnë më të mirët!

Taksat janë vetëm pretekst. Ato nuk dëmtojnë aq shumë ekonominë serbe. Madje, edhe sikur ta dëmtonin, është arrogante kërkesa për pezullimin e tyre. Domethënë, unë të urrej, unë të dëmtojë aty ku mundem, por ti mos më ceno interesat e mia. Kanë të drejtë, diku 10 miliardë euro janë transferuar në Serbi qysh nga mbarimi i luftës.  Armatimi i Serbisë është bërë me pajtimin e politikanëve dhe ka financuar populli shqiptar. Pas luftës iu lejua Serbisë të sillet sikur Kosova të ishte regjion i saj. Në fakt, asaj i qe lejuar vrasja dhe dëbimi i shqiptarëve që nga viti 1912, deri në vitin 1999. Pas vitit 2000, dëbohemi nga politikanët tanë, jo me dhunë, por ikim vullnetarisht! Arsyet dihen. Shteti është i privatizuar dhe është pronë e disa klaneve! Nuk është çudi! Këta, pa pikë turpi,  krijuan armatën e veteranëve, që vjedh Kosovën muaj për muaj. Eh, çfarë e mirë mund të pritet nga kjo elitë, që duron grabitjen e ekonomisë nacionale?!/dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.