Integrimi/ Sot konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri - BE!
Dritare.net

Në Bruksel zhvillohet sot Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencën ku do të mbyllen kapitujt 25 (Shkenca dhe Kërkimi), 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Sipas autoriteteve, këto janë fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas axhendës zyrtare, Konferenca e IX Ndërqeveritare nis në orën 19:00, ndërsa pas përfundimit të saj do të formalizohet mbyllja e kapitujve. Në orën 20:00 është parashikuar një konferencë për shtyp mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbyllja e tre kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi fazën e piketave të ndërmjetme (IBAR), një hap i rëndësishëm në negociatat me BE-në.
Pas këtij zhvillimi, vendi duhet të përmbushë kushtet për mbylljen e 30 kapitujve të tjerë të negociatave, me synimin që procesi teknik të përfundojë brenda vitit 2027. Më pas, vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë do t'i nënshtrohet miratimit nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian./L.F-dritare.net