I thur lavde kujtdo që nuk largohet nga ky vend!
Dritare.net
Me shifra alarmante, shqetësuese dhe tronditëse, media, opinioni publik dhe jo vetëm, artikulojnë çdo ditë e më shumë mbi ikjen e vazhdueshme të shqiptarëve. Në një kohë ku të gjithë shkruajnë e argumentojnë pse duhet të largohesh nga këtu një orë e më parë, unë vazhdoj e shkruaj e qetë, pa u bezdisur aspak, si një patriote e qëndrimit në Shqipëri, se përse duhet të qëndrojmë këtu. Fillimisht më lejoni ta nis me ata që u dorëzuan, kthyen shpinën edhe u larguan si moskokëçarës me justifikimin se këtu nuk ia dilnin dot. E pyes veten a u përpoqën vallë aq sa duhet?!
Më pas më vjen natyrshëm t’i përkrah e t’u gjendem pranë, se ndoshta ishin pa zë të fortë në një kohë kur heshtja ishte mbretëresha e kësaj shoqërie. Le t’ia falim, se ranë pre e një shteti që nuk u doli për zot e jo më t’u falte ngrohtësinë e merituar. Atëherë përse nuk kthehen? Frika, pasiguria i ka kapluar apo një lloj rehatie dhe mirëqënieje që këtu mund të duket deliruese nëse nis edhe e aspiron.
E po kthehem tek ata që e kanë çuar ndërmend të largohen. Mos e bëni! Kujt po ia lini këtë vend po ikët?! Kujt po i dorëzoni të drejtën për të vendosur mbi fate të shumta, duke mbajtur veshur pelerinën absolute të pushtetit. Qëndroni dhe investoni! Mos e bëni për veten tuaj, as për ego, por për virtytin e solidaritetit të brezave që vijnë. Jini shembuj të atyre që e deshën fort këtë tokë e që nuk u manipuluan nga madhështia e pasigurisë dhe qëndrimit paranojak. Nëse vazhdoni të qëndroni, por mbi të gjitha, të guxoni të flisni, të manifestoni, të zhdukni heshtjen e të kapeni fort pas shpresës, ju premtoj që do i thur lavde kujtdo që nuk largohet nga ky vend!/dritare.net