
I dedikoi këngën, Silva tregon flet për të atin që nuk jeton dhe për fëmijërinë mes varfërisë
Dritare.net

“Marrëdhënia ime me babanë ka qenë shumë e ngushtë. Babai ka qenë shoku im i parë, ka qenë një figurë autoritare, por edhe shumë e butë. Babai im ende gëzon reputacion në Vlorë, në vendin ku ka punuar dhe jetuar. Ne në Vlorë kemi pasur një shtëpi shumë të vjetër, çfarë binte jashtë, binte brenda. Nuk kam për ta harruar momentin kur babai im ishte në momentet e fundit të jetës dhe ishte i shtrirë në një krevat që unë e kisha blerë me rrogën time të parë kur punoja në teatrin “Petro Marko”.
Duke qenë se ai kishte probleme me shtyllën kurrizore, sepse qëndronte shtrirë, i thashë të flinte në atë krevat. Iu bë qejfi, por nuk më tha po në moment. Kur u shtri aty, pashë në sytë e tij sikur u lehtësua. Nuk e harroj kurrë vështrimin e tij” ka rrëfyer këngëtarja e përlotur.
Gjithashtu Silva Gunbardhi ka treguar se fëmijëria e saj ishte shumë e vështirë, pasi ishin familje e varfër, por me reputacion të mirë.
“Në atë kohë nuk kishim shumë mundësi, por kemi qenë familje që gëzonim respekt dhe këtë e kam vlerësuar. Babai na ka rritur me shembull shumë të mirë, respektin nuk e bën paraja. Kujtoj shëtitjet me motor me babanë tim. Ai më ka mësuar të mos kem frikë. Mbaj mend që kur unë nuk merrja nota të mira, ai mërzitej. Pasi humbëm babanë, unë nëna dhe vëllai im u zhvendosëm në Tiranë. Kjo këngë është himn jo vetëm për babanë tim, por për të gjithë fëmijët që u ndjejnë mungesën e babait”, tha këngëtarja. /e.k-Dritare.net

















