Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historia e Arbenit, berberi 5-të, më i mirë në botë

Nga Isa Myzyraj

Nëse të gjithë mendoni se të jesh berber është një profesion i thjeshtë, e keni gabim, nëse mendoni se është një profesion i rëndomtë, përsëri e keni gabim, këtë e ka dëshmuar më së miri, Arben Lumi nga Theranda e Kosovës, i cili ka arritur që të renditet si berberi i 5-të më i mirë në botë, edhe të bëjë edhe një herë krenar të gjithë shqiptarët kudo që janë.

“International Barber Awards” është festivali ku marrin pjesë berberë nga e gjithë bota, dhe këtë vit ka qenë pikërisht Arbeni i cili ka fituar vendin e 5-të në atë që njihet ndryshe si “Oskar” i berberëve.

Në intervistën e parë dhënë për dritare.net Arbeni rrëfen rrugëtimin e tij të gjatë, dhe të vështirë për të arritur deri këtu. Ai jeton në Weißenburg të Bajernit, në Gjermani që nga viti 1996, dhe është 34-vjeҫ, babai i dy fëmijëve.

Lexoni intervistën për të mësuar më shumë rreth berberit të 5-të më të mirë në botë. /dritare.net

Ju jeni renditur si berberi i 5 më i mirë në botë, nga “International Barber Awards”, si e pritet këtë ҫmim që konsiderohet si “Oskari për berberët"?

Në “International Barber Awards” më është dhënë mundësia që unë të marr pjesë dhe të tregoi atë që unë e bëj më mirë. Unë jam shumë i kënaqur me këtë ҫmim, edhe pse kam pasur mundësinë që të jem dy-tre vende më mirë, por juria ka vendosur kështu, gjithsesi kjo eksperiencë ka qenë shumë e mirë për mua.

Si e nisët profesionin e berberit?

Unë kam filluan punë që kur kam qenë 16-vjeҫ në një sallon, dhe kam marrë zanatin, per 3 vite. Pasi unë mora profesionin, kam punuar si punëtor deri në vitin 2012, dhe pastaj kam hapur një sallon timin, dhe në 6 vitet e fundit unë kam sallonin tim, dhe tani kam 5 punëtorë e jam berberi 5 më i mire në bote.

Shumë persona e konsiderojnë profesionin e berberit si një profesion të rëndomtë nëse mund ta themi kështu, po për ju ҫfarë do të thotë të jesh berber?

Pavarësisht të gjithave që fliten për këtë profesion unë e dua shumë profesionin tim, dhe dua që klientët e mi të duken mirë.

Në profilin tuaj në facebook shpesh-herë promovoni edhe Kosovën, ju mungon vendlindja dhe a keni menduar ndonjëherë të ktheheni për të hapur një sallon atje?

Unë kam menduar shumë herë për këtë, por tanimë unë jam këtu, dhe këtu kam jetën time, familjen, punën. Kultura e të punuarit në Kosovë është krejt ndryshe nga këtu. Këtu punohet me shkollë, me eksperiencë, ndërsa në Kosovë mund të bësh një kurs dy muaj, dhe pas dy muajsh të hapësh një sallon, kjo i bën njerëzit e pa shkollë dhe pa kulturë për punën. Unë kam menduar të kthehem dhe të bëj një shkollë ose një seminar, por është shumë e vështirë.

Dihet që femrat i kushtojnë rëndësi paraqitjes së jashtme, make-up apo dhe modeli i flokëve, po meshkujt tek cila pjesë duan të duken më bukur, dhe sa janë ata të apasionuar pas modeleve të fundit të flokëve?

Po, edhe meshkujt kanë nisur t’i japin shumë rëndësi vetes. Mjekra është shumë në modë, dhe duhet të mbahet me kujdes, e trajtuar me produkte të ndryshme. Modeli i flokëve trendy, për momentin, janë flokët e shkurtra, por shumë shpejtë do të ndryshojë. Unë i kushtoj shuam rëndësi klientit, jo thjesht të marrësh makinën dhe ta qethësh, por edhe detajet janë të rëndësishme.

Sa e vështirë ka qenë për ju t’ia nisësh gjithçkaje nga zeroja, dhe të arrish majat e karrierës në një vend të huaj?

Për mua ka qenë shumë e vështirë të ndahem nga vendi im, por tani kam mësuar edhe gjuhën, në fakt gjuhën e kam mësuar nga babai, një fjalë në ditë gjermanisht në fillimet e mija. Pastaj unë fillova duke u integruar me jetën këtu, pas disa kohësh unë fillova punën, u përkushtova shumë sepse e bëja me dëshirë, dhe më donin të gjithë.

Pas marrjes së këtij ҫmimi, cilat janë projektet në të ardhmen?

Synimet e mija nuk janë që unë të marr pjesë ҫdo vit në këto gara. Por tanimë kam njohur njerëz të rinj, me ide të reja, unë tanimë do mundohem që me profesionin tim të jem një ambasador për të gjithë berberët e tjerë, dhe nëse kanë edhe ata mundësi të marrin pjesë në këtë garë edhe ata që të përfaqësojnë Shqipërinë apo Kosovën./dritare.net