Si vilet mjalti në Voskopojë! Rrëfim nga Anton Falo!
Dritare.net
Nëse dëshiron të kalosh një fundjavë ndryshe, nisu drejt Voskopojës, fshati që të pret krahëhapur dhe di çfarë të të ofrojë.
Kudo që të kthesh krahët, do të shohësh bujtina që gjithsecila prej tyre tërheq vëmendjen me stilin e veçantë që ka kjo zonë, çati të gurta dhe ushqim karakteristik.
E tillë është edhe Vila Falo, e cila u hap, nga Anton Falo, që e nisi jetën si emigrant për 20 vite në Greqi dhe u kthye për t’i dhënë jetë traditës që kishte fituar nga familja e tij, ndër më të vjetrat në Voskopojë.
Përveç aktivitetit personal, zoti Falo zgjodhi të kontribuojë vullnetarisht, duke u bërë guidë turistëve që zgjedhin fshatin e tij, duke i treguar cep më cep, ku nuk mungojnë dhe dëshmitë historike.
View this post on Instagram
Për gazetaren Marinë Kërçeli, në Dritare TV, zoti Falo, rrëfeu dhe pasionin që ka për bletarinë, ku ka ngritur një park, me 200 koshere në dalje të fshatit.
Çdo sezon, ai nxjerr mjaltin për të cilin është kujdesur gjatë, të cilin pastaj ua ofron turistëve për mëngjes apo ëmbëlsira të ndryshme.
E gjitha nga pasioni që ka, pasi këtë traditë e ka fituar që në moshën 5-vjeçare, nga babai i tij, Dhori Falo, ndër historianët më të shquar të zonës.
“Ky është parku i bletëve që kam ndërtuar. Kam afërsisht 200 bletë. Mjaltin që nxjerr prej tyre e përdor tek restoranti, për mëngjes, ëmbëlsira, ua servir turistëve, apo dhe për dhuratë.
Po ashtu turistëve u bëj guidë, për të gjithë që dëshirojnë të shohin këtë park të bletëve. Mësojnë për bletarinë, mbarështimin e tyre, të gjitha këto i vendos në shërbim të restorantit. Shumë turistë që shijojnë mjaltin e Voskopojës, provojnë këtu edhe atë me hoje.
Mjalti i Voskopojës është i një cilësie shumë të lartë, shumëlulesh. Profesionin e bletarisë e kam një traditë familjare.
Që prej moshës 5-vjeçare, babai im mbante bletë, unë e ndihmoja në këtë aktivitet. Kështu ndoqa traditën e familjes, bletët janë pasioni im. Një njeri që nuk i dashuron bletët, nuk mund të jetë kurrë bletar. Unë e kam pasion, nuk do e braktis kurrë këtë traditë”, tregoi zoti Falo./M.K-dritare.net