Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Si e kaluan jetën në fshatin pa rrugë, Krushovë! Flasin dy vëllezërit!

Si e kaluan jetën në fshatin pa rrugë, Krushovë! Flasin dy

Besniku dhe Kastriot Bacelli, janë të vetmit banorë që nuk e kanë braktisur fshatin Krushovë, vetëm 5 kilometra larg Voskopojës së njohur për historinë dhe turizmin e saj.

Familja Bacelli është e vetmja që hap dyert për vizitorët në këtë fshat të shpopulluar, i izoluar nga rruga e rrënuar ku dëgjohen vetëm cicërimat e zogjve.

Për gazetaren Marina Kërçeli në DritareTV, dy vëllezërit rrëfyen jetën e tyre ndër vite, pasi u zotuan se nuk do të shkelnin premtimin që i bënë babai të tyre, që e donte kaq shumë këtë fshat.

“Kam qenë shumë aktivist në rini, kisha dëshirë shumë të largohesha në qytet. Isha djali i parë në fshat që e mendoja këtë. Por duke pasur një lidhje shumë të ngushtë me prindërit, kur ia shpreha dëshirën, ata këmbëngulnin këmbë që nuk e braktisnin fshatin. Për të ardhmen tonë por dhe të fëmijëve e doja këtë. Vendosa që për hir të prindërve ta kaloja jetën me ta këtu në Krushovë”, tregon Besniku.

Vëllai i vogël, Kastrioti tregon se fisi Bacelli është nderuar përherë nga kushdo që njihte pragun e derës së shtëpisë së tyre, ku priteshin me raki, ushqime të zonës dhe nderoheshin me muzikë.

“Kemi qenë një familje e nderuar, kemi pasur lidhje me të gjithë. Edhe në kooperativë, gjithë kuadrot e kanë pasur bazën tek familja jonë, Bacelli. Babai nuk donte kurrë ta linte fshatin, ne qëndruam pas dëshirës së tij. Në verë këtu mbjellim kopshtet që kemi dhe në dimër largohemi. Është shumë e vështirë jetesa”, tregon Kastrioti.

Por sot që të gjithë kanë ikur, këta dy vëllezër kthehen në zonë për t’u marrë me biznesin e tyre, kultivimin e patates, më të mirën në zonën e Juglindjes.

“Në verë kultivojmë patate dhe i shesim në zonë. Qëndrojmë deri në 4 muaj këtu. Prodhojmë pataten më të mirë të zonës. Jemi në një moshë që nuk mund të punojmë shumë, por duke pasur klientelën, na nxit që të prodhojmë dhe të kultivojmë patate, ka fitim të mirë. Të gjithë vizitorët që vijnë, i vlerësojnë shumë prodhimet në këtë fshat. Babai këtë vlerësonte. Nëse do të ketë rrugë, ky fshat mund të vizitohet shumë nga turistë. Por fshati është zhvlerësuar nga institucionet, pasi nuk ka banorë tani më. Nëse nuk ka rrugë, këtu nuk kryen dot asnjë investim”, shton Besniku.

Pasi përmbushën amanetin e të atit që të mbanin derën hapur të fisit Bacelli, dy vëllezërit tregojnë se do ta rindërtojnë sërish shtëpinë, që tashmë është rrënuar nga vetmia, dhe vitet, pasi u ndërtua 70 vite më parë.

“Ne nuk do ta braktisim kurrë shtëpinë, nëse do të kemi të ardhura, do ta rindërtojmë. Fëmijët tanë duhet t’i njohin gjurmët ku jemi rritur. Këtu klima, uji, ushqimi është i mrekullueshëm. Çdo prodhim këtu është pa asnjë kimikat.

Ne në Krushovë, kemi bërë një jetë të mirë edhe në rininë tonë. Kishim një nënë shumë nikoqire. Ne jemi 4 vëllezër, të dytin, babai e dërgoi në kurs për klarinetë, edhe pse unë kisha vesh më shumë për muzikë. Nga pasioni që kisha, kur dëgjoja muzikë, lotoja, nuk kisha mundësi të blija një vegël muzikore. Kur ikte vëllai, ia merrja fshehurazi klarinetën, kur më zbuloi, ma fali. Sepse kuptoi që unë e kisha më pasion. Për 20 vite kam luajtur muzikë, në gjithë Shqipërinë”, tregon Besniku./M.K-dritare.net