Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Bylisi, qytetërimi Ilir që prodhoi Shqipërinë. Flet Neritan Ceka

Bylisi, qytetërimi Ilir që prodhoi Shqipërinë. Flet Neritan

“Shqipërinë e bëjnë shqiptarët.” Kështu e nis rrëfimin e tij arkeologu i njohur Neritan Ceka, ndërsa qëndron mes rrënojave të një qyteti që dikur ishte krenaria e jugut të Shqipërisë: Bylisi. Ai nuk është vetëm një arkeolog i këtij qyteti, është dëshmitar, rikthyes dhe mbrojtës i tij.

Kur profesor Ceka erdhi për herë të parë në Bylis, në vitin 1959, aty nuk dukej asgjë. “Ishte thjesht një kullotë. Kishte hyrë edhe traktori i kooperativës që i kishte shkaktuar dëme të mëdha. Gurët ishin marrë nga banorët për ndërtim shtëpish. Kishte filluar një masakër ndaj trashëgimisë”, kujton ai. Ishte pikërisht ai momenti kur, së bashku me kolegët Skënder Muçaj dhe Lazër Papajanin, vendosën të nisin gërmimet sistematike. U deshën vite punë të mundimshme, por falë pasionit të tyre, nga hiçi lindi një qytet.

Bylisi është sot qyteti më i madh ilir i zbuluar në Shqipëri, një pasuri që përfaqëson jo vetëm trashëgiminë e një populli, por edhe karakterin e tij: ngulmues, krijues dhe krenar. Qyteti nuk është ndërtuar mbi një trashëgimi greke, është i veçantë, me stil arkitekturor, sistem mbrojtës dhe jetë qytetare tërësisht ilire. “Muret e Bylisit nuk i gjen në Apolloni,” – thotë Ceka. “Këtu gjithçka është me gurë. Nuk kemi as tulla, as qerpiç. Kemi mjeshtëri të gurit.”

Në teatër, qëndron madhështia. Me mbi 7,500 vende, ai është një nga më të mëdhenjtë në Ballkanin antik, më i madh se ai i Dimales dhe më i vogël se Dodona apo Finiku. “Ky nuk është teatër tragjedie, është teatër komedie. Është ndërtuar për kontakt të drejtpërdrejtë me spektatorin, për të qeshurën, për jetën,” shpjegon ai. Teatri është ndërtuar sipas modelit të Dodonës dhe është prova më e fortë se ky nuk ishte një qytet grek, por një qytet që kishte identitetin e vet.

Bylisi, qytetërimi Ilir që prodhoi Shqipërinë. Flet Neritan

Një element i veçantë i Bylisit është sistemi i furnizimit me ujë, një rrjet i ndërlikuar me cisterne, dekantim, latrina publike dhe depozita që funksionuan për rreth një mijë vjet. “Ky qytet nuk ka qenë thjesht vendbanim, ka qenë organizim qytetërimi,” – thotë Ceka. “Ka pasur higjienë, jetë shoqërore, funksion.”

Në vitin 168 p.e.s., bylisenët u bashkuan me romakët dhe morën pjesë në betejat kundër maqedonasve. Nga plaçka e luftës, ndërtuan një pjesë të murit rrethues të qytetit. Dhe sot, mbi atë mur është ruajtur një mbishkrim i rrallë, që përmend funksionarët e qytetit: prytanin, strategun, hiparkun dhe sekretarin. Emrat janë në greqisht, por, siç shpjegon Ceka, kjo nuk i bën ata grekë – “ashtu siç ne përdorim fjalën ‘president’, që nuk është shqip.”

Bylisi është gjithashtu qendra e një peshkopate të rëndësishme në shek. V-VI, me pesë kisha të ruajtura dhe mozaikë të mbuluar për t’u mbrojtur nga koha. Por qyteti u braktis, nuk u shkatërrua me luftë, por me harresë. Me rënien e Perandorisë Bizantine, vëmendja u zhvendos larg, dhe qyteti ra në heshtje.

Sot, Bylisi është kthyer në një thesar të gjallë të historisë, por ka nevojë për përkrahje. Është planifikuar ndërtimi i një muzeu modern, që të përfshijë jo vetëm gjetjet e Bylisit, por edhe ato të Antigonesë, Amantias, Dimalit. “Është koha që të tregojmë se kemi një qytetërim të mirëfilltë, një qytetërim që ka prodhuar Shqipërinë,” – përfundon Ceka me pasion.

Ky është Bylisi. Një qytet që filloi si një kullotë dhe sot sfidon harresën me gurët e tij të lashtë, me fjalët e një arkeologu që e deshi, e ruajti dhe e ktheu në jetë./dritare.net