Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Brenda tuneleve të fshehta: Si funksiononte qendra e ndërlidhjes gjatë Luftës së Ftohtë!

Brenda tuneleve të fshehta: Si funksiononte qendra e ndërlidhjes

Në një rrëfim ekskluziv për Dritare TV, ish-radisti Pavli Dako kthen pas kohën dhe na çon në një nga pikat më të fshehta të historisë ushtarake shqiptare: qendra e ndërlidhjes në Dajt. Mes tuneleve të betonuar, sot të braktisur e të rrënuar, ai ndan kujtime të një kohe kur çdo valë radioje dhe çdo sinjal kishte peshë strategjike për mbrojtjen e vendit.

Një zonë e ndaluar, sot e hapur

Dako kujton se gjatë komunizmit e gjithë zona e Dajtit ishte e mbyllur hermetikisht për publikun. “Këtu nuk kalonte asnjë njeri i zakonshëm. Vetëm ushtarakët e autorizuar mund të hynin. Ishte një qendër ndërlidhjeje tepër sekrete. Pak veta e dinin, pak e njihnin,” tregon ai, duke shprehur keqardhje për gjendjen e sotme të rrënuar të bazës.

Në kohë lufte, qendra do të shërbente si pikë komande e Ministrisë së Mbrojtjes. Brenda tuneleve ishin fjetoret e ushtarëve, sallat e stërvitjes, zyrat e oficerëve dhe dhomat e aparaturave. Ushtarët stërviteshin çdo ditë për të mbajtur në gatishmëri një sistem komunikimi që lidhte divizionet nga Kukësi në Shkodër e deri në jug të vendit. “Ne ishim mësuar me parimin: ushtria duhet të jetë gati çdo ditë, sepse nëse humbet ditën e parë, gjithçka është e humbur,” thotë Dako.

Nga rusët, te kinezët

Pavli Dako rrëfen se Shqipëria fillimisht mori modelin e ndërlidhjes nga Bashkimi Sovjetik, por pas prishjes me Moskën u kthye nga Kina. Pikërisht në vitin 1962, Tirana ndërmori një mision tepër sekret për të siguruar pajisjet më të avancuara të kohës.

“Im atë ka qenë pjesë e atij delegacioni,” tregon Dako. “Udhëtimi ishte krejt i fshehtë. Askush nuk përdorte emrin e vërtetë. Kishin pasaporta false, identitete të dyfishta dhe nga 3 mijë dollarë secili në xhep. U dha urdhër që rruga të mos kalonte nga Rusia, sepse rusët i njihnin të gjithë. Delegacioni udhëtoi nga Italia, në Kajro, më pas në Arabinë Saudite, Iran, Pakistan dhe prej andej në Kinë, ku i mori një avion kinez.”

Qëllimi ishte i qartë: sigurimi i teknologjisë më moderne për ndërlidhjen ushtarake dhe nënshkrimi i kontratave për furnizime strategjike. “Aty u firmosën marrëveshje jo vetëm për ndërlidhjen, por edhe për tanke, raketa, mjete transporti, gjeni, kimi, për të gjitha degët e ushtrisë,” thotë ai.

Brenda tuneleve të fshehta: Si funksiononte qendra e ndërlidhjes

Aparatura moderne dhe disiplinë ekstreme

Pas marrëveshjes, Kina furnizoi Shqipërinë me pajisje që për kohën konsideroheshin të përparuara. Në tunelin e njohur si “Tuneli i Radiobiros”, ishin vendosur marrës dhe dhënës të fuqishëm, tastiera dhe aparatura që mund të lidhnin njëkohësisht dhjetëra divizione.

Radistët punonin me një disiplinë të hekurt. Komunikimi bëhej me kod telegrafik, ku çdo gabim mund të zbulonte pozicionin e stacionit. “Edhe thonjtë duhej të ishin të shkurtuar që të shtypje saktë tastin e transmetimit. Çdo germë, çdo shenjë kishte rëndësi,” kujton Dako, duke sjellë edhe një shembull historik nga Japonia, ku një radist rus u kap vetëm për një germë të munguar në mbyllje sinjali.

Një kujtesë për të ardhmen

Sot, rrënojat e qendrës në Dajt janë të mbuluara me mbeturina, por për Dako-n mbeten një dëshmi e qartë e një kohe kur Shqipëria ishte e izoluar dhe e gatshme për çdo skenar lufte. “Ndërlidhja ishte zemra e ushtrisë. Edhe sot, pavarësisht teknologjisë, valët e radios mbeten të pazëvendësueshme në raste emergjencash,” thotë ai.

Rrëfimi i Pavli Dakos jo vetëm që hedh dritë mbi një pjesë të fshehur të historisë shqiptare, por edhe kujton se pas çdo tuneli, kablloje apo sinjali radioje, fshihet një epokë plot tension, disiplinë dhe sekrete shtetërore që kanë formësuar fatet e vendit./dritare.net