Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hapet parkingu nëntokësor, Veliaj: Ja çfarë përfitojnë qytetarët!

Hapet parkingu nëntokësor, Veliaj: Ja çfarë
Përveçse një qendër pedonale, sheshi “Skënderbej” ka tashmë edhe parkingun nëntokësor me mbi 300 vende, duke i dhënë zgjidhje problemit të parkimit të automjeteve në qendër të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, inspektuan sot ambientet moderne të parkimit nëntokësor, i cili nga mëngjesi i sotëm është hapur për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë parkingun nëntokësor publik, i cili ofron jo vetëm çmimet më të lira, por njëkohësisht standarde dhe siguri.

“Të parkosh sot në qendër të Tiranës është më mirë se sa një orë parkimi në rrugë. Nëse qytetarët kanë më shumë se një orë punë në qendër, u bie më lirë të parkojnë në parkingun e sheshit “Skënderbej”. Politika e parkingut është e vështirë si mentalitet, por të mos harrojmë se njerëzit gjithmonë e kanë paguar parkimin, thjesht nuk ia kanë paguar bashkisë, por ia kanë paguar atij që me një arkë zinte vendet e parkimit dhe nën kërcënimin se do t’i gërvishte makinën, ua merrte ato para”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Veliaj shtoi se të ardhurat nga parkingjet publike, Bashkia i investon në mbjelljen e pemëve dhe investime të tjera publike si çerdhe, kopshte, shkolla.

Ky parkim ofron një zgjidhje ideale për ata që i lidh puna me institucionet kryesore rreth sheshit. “Për këdo që ka punë te Banka e Shqipërisë, te Muzeu Kombëtar, te Opera, te Pallati i Kulturës, te Biblioteka Kombëtare, te Bashkia e Tiranës dhe kompleksi i ministrive, nga Ministria e Brendshme, e Ekonomisë, e Bujqësisë, e Energjetikës, iu del më mirë sikur të parkojnë nëntokë dhe pastaj në këmbë të aksesojnë gjithë kompleksin e zyrave publike gjatë orëve të punës”, tha Veliaj.

Në parkingun nëntokësor të sheshit është vendosur një sistem i posaçëm për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike, duke e renditur Tiranën mes qyteteve më të zhvilluara që aplikojnë një projekt të tillë.

“Banorët e njësisë 9 dhe 10 do të marrin kartën e rezidentit. Vetëm ata do të mund të parkojnë në lagjet e tyre; kurse punonjësit e bashkisë, apo kushdo tjetër që vjen nga rrethet, do të përdorin parkimin nëntokësor. Besoj se për këdo që vjen në Tiranë, nuk ka pasur kurrë shans të parkojë makinën te kali i Skënderbeut”, tha Veliaj.

“Sot ka një ashensor për personat me aftësi të kufizuara, që mund ta aksesojnë parkingun; ka tualete, të gjitha me sensorë, si larja e duarve, ashtu edhe tharja, dhe u kërkoj të gjithëve që t’i shfrytëzojnë për të gjithë nevojat higjienike që kanë. Është hera e parë që kemi bashkuar në një projekt edhe këtë nevojë që qytetarët e kanë kërkuar në qendër të Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.

Projekti parashikon që hapësira e parkingut të përdoret edhe për aktivitete të ndryshme, si panairet. Duke garantuar se sheshi “Skënderbej” do të jetë një hapësirë fantastike edhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme artistike, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë sot në mbrëmje në koncertin rok me “Tre musketjerët”, për të dëgjuar hitet e tyre më të mira ndër vite.